Nobelisti i Paqes përshëndetet nga bota

07/10/2016 00:00

Kombet e Bashkuara e përshëndetën fituesin e Nobelit të sivjetshëm të Paqes, presidentin kolumbian Juan Manuel Santos.

Nderimi i lartë mbërriti në fundin e një jave dramatike për të: marrëveshja e paqes me rebelët e FARC-ut, për të cilën punoi aq shumë, u refuzua nga shumica e votuesve në referendum. Por Santos, nga humbës u shndërrua në nobelist, një çmim të cilin, siç tha edhe vet, e pranon në emër të viktimave të dhunës dhjetëravjeçare.

“Zemra ime është e mbushur në këto momente me mirënjohje të pakufijshme. E pranoj këtë çmim jo në emrin tim, por në emrin e të gjithë kolumbianëve, e sidomos viktimave të këtij konflikti, nga i cili kemi vuajtur për 50 vite. Kolumbianë, ky çmim është për ju! Është për viktimat, që viktima të mos ketë më, sepse askush tjetër nuk duhet të vdesë!”, tha Juan Manuel Santos, president i Kolumbisë.

Komisioneri i lartë i OKB-së për Refugjatët, Filipo Grandi nuk nguroi të përcillte urimet e tij.

“E përshëndes këtë zgjedhje e dua t’i përcjell presidentit Santos urimet e mia. Nuk ka shumë që isha dhe vet në Kolumbi, ku e pashë nga afër angazhimin e jashtëzakonshëm të qeverisë, të FARC-ut dhe shoqërisë civile për ta bërë nismën të funksiononte”, tha Filippo Grandi, kryekomisioner i OKB-së për Refugjatët.

Argumenti i Komitetit norvegjez të Nobelit ishte se, Santos ndihmoi që njëra prej luftrave më të gjata të kohës sonë t’i afrohej zgjidhjes paqësore, por ka ende rrezik sipas tij, që procesi i paqes në këtë vend të shembet.

Top Channel