“Matthew” kërcënon Floridën, mbi 800 viktima në Haiti

07/10/2016 00:00

Janë mbi 800 të vdekurit nga uragani “Matthew” në Karaibe, aktualisht 842, e bilanci mund të rritet edhe më shumë. Stuhia “përbindësh” tani po përparon drejt bregut lindor të Floridës. Nuk dihet ende me siguri nëse “Matthew”, që ka humbur një pjesë nga forca e tij duke u kategorizuar tani si uragan i shkallës së tretë, do të prekë tokën e shtetit amerikan.

Por nëse kjo ndodh, zonat më të goditura prej tij do të mbeteshin të pabanueshme për javë të tëra, paralajmërojnë ekspertët. Shqetësimi më i madh rrethon rajonet e ulëta në Jacksonville, ku gjasat e përmbytjeve masive janë të larta.

“Matthew”, i pari uragan i këtyre përmasave që kërcënon të godasë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara në më shumë se 10 vite, është duke lëvizur paralel me bregun. 300 mijë banesa në Florida mbetën pa energji elektrike, ndërsa mbi komunitetet bregdetare ndërmjet “Palm Beach”-it dhe “Cape Canaveral” u përplasën erëra me shpejtësi 113 km në orë.

Nga fundi i javës, sipas meteorologëve, prè të furisë së tij do të bëhen Xhorxhia dhe Karolina e Jugut. Ndërkohë, një video e postuar në mediet sociale nga “NOAA Hurricane Hunters” tregon pamje nga syri i stuhisë, ku ka fluturuar një ekip i tyre.

Të enjten vonë, “Matthew” goditi pjesën perëndimore të ishujve Bahamas, ku nuk shkaktoi viktima. Në Haiti, ndërkohë, shteti më i varfër i hemisferës perëndimore, goditja ka qenë shkatërrimtare. Kombet e Bashkuara thonë se afro 6 milionë haitianë janë prekur nga stuhia dhe 350 mijë veta kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.

Situata është katastrofike, deklaroi Presidenti i përkohshëm Jocelerme Privert. Mbi 29 mijë banesa janë rrafshuar në rajonet jugore, ndërsa 80% e qytetit Jeremie nuk ekziston më.

Top Channel