Atmosfera jonë ‘bombardohet’ nga rrezet X

07/10/2016 00:00

Ka gjëra që na rrethojnë në përditshmërinë tonë që ne nuk i shohim, jo se nuk duam apo se jemi të pavëmendshëm, por për faktin e thjeshtë se nuk mundemi.

Nëse njeriu do të shihte më shumë sesa valët e thjeshta të dritës Toka dhe gjithë universi do t’i dukej një sferë hapësire gjigante shumëngjyrëshe.

Disa valë të dritës janë të përbëra nga rrezet X, që me sy të lirë ne nuk jemi në gjendje që t’i kapim. Në këtë pjesë na vjen në ndihmë teknologjia e NASA-s dhe nëse do të shohim përmes kësaj teknologjie, do të kuptojmë që atmosfera jonë bombardohet vazhdimisht nga rrezet X.

Në dhjetor të 2012, NASA lëshoi misionin DXL me objektiv studimin e këtyre rrezeve dhe gjetjen e burimit të tyre dhe katër vite kanë mjaftuar që shkencëtarët e NASA-s të bëjnë disa zbulime.

Ashtu siç edhe dihej, pjesa më e madhe e këtyre rrezeve burojnë nga Dielli, një pjesë më e vogël nga ajo që studiuesit e quajnë si “mbështjella lokale e nxehtë” që rrethon sistemin tonë diellor, ndërsa ajo që habiti ishte burimi i një pjese më të vogël rrezesh X, për të cilat shkencëtarët e NASA-s janë duke “kruajtur kokën”.

Ata thonë se këto rreze nuk gjenerohen nga asnjëra prej këtyre burimeve.

“Janë shumë të dobta për të patur si vendburim Diellin, por shumë të fuqishme për buruar nga mbështjella lokale e nxehtësisë”, thotë Youaraj Uprety, udhëheqës i studimit.

“Kjo na ka lënë me gojë hapur dhe pa përgjigjje për burimin e këtyre rrezeve”, shton ai.

NASA thotë se për momentin nuk është në gjendje që të shpjegojë dhe as të hipotezojë mbi vendburimin e këtyre rrezeve dhe shpreson që këtë ta bëjë në ditët, javët apo muajt në vazhdim me marrjen e më shumë të dhënave nga misioni i saj DXL.

Top Channel