Tahiri i përgjigjet Bashës: Ja dallimi në luftën kundër hashashit

07/09/2016 00:00

Deklaratës së kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili tha se sipërfaqja e mbjellë me hashash në 2016 është pesëfishuar në krahasim me 2015, ministri i Brendshëm iu përgjigj me anë të një postimi në Facebook.

Ai rendit shkurtimisht në gjashtë pika të dhënat e publikuara nga analiza e Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza.

Reagimi i plotë:

Për ata që kanë sy e veshë, të dhënat zyrtare të Guardia di Finanza dhe Policisë së Shtetit, më shqip:

1 –  Sipërfaqja e monitoruar në 2016 është 506 hektarë, prej të cilave 213 të kultivuara me kanabis. Në 2013, sipërfaqja e monitoruar ishte 361 hektar, prej të cilave 323 hektarë të kultivuara (nga të cilat 319 ishin në Lazarat). Pra siperfaqja është më e vogël se 2013, edhe pse siç shihet, në 2013 i gjithë monitorimi fokusohej në Lazarat.

2. Orët e monitorimit janë 18 përqind më shumë se vjet dhe thuajse 50 përqind më shumë se 2013.

3. Gjeografia e fluturimeve në të gjithë vendin, pa asnjë limit.

4. Kjo është arsyeja pse në 2016 kemi arritur të zbulojmë më shumë hapësirë të kultivuar sesa vjet dhe nuk është shenjë dështimi, por shenjë e qartë e punës për të identifikuar dhe shkatërruar çdo parcelë.

5. Në 2016, policia shkatërron 99.8% të hapësirës së kultivuar, në 2012 shkatërronte 0 përqind dhe në 2013 shkatërronte 7.5 përqind. Kush është narkotrafikanti?! Qeveria e lidhur me bandat e drogës kush është?!

6. 19 përqind e sasisë së shkatërruar është kubikë, pra që në fazën paraprake, që tregon aktivitetin masiv të policisë për të parandaluar këtë fenomen.

“GdF e deklaroi shumë shumë saktë: bashkëpunimin e shkëlqyer me Policinë Shqiptare, rezultatet shumë pozitive dhe vazhdimin e përbashkët të kësaj lufte në të ardhmen. Saliu, Luli dhe Muli, kanë të drejtën e tyre të hedhin baltë, siç kanë bërë gjithmonë, por sot është e qartë se Shqipëria dje kishte një problem të pazgjidhur me kultivimin, kur ata ishin në qeveri, ndërsa sot, Shqiperia ka një problem që po merrr zgjidhje përfundimtare. Dallimi është shumë i madh!”, mbyll reagimin e tij ministri i Brendshëm.

Top Channel