Shqipëria në krye për 70-vjetorin e ndeshjes së parë

07/10/2016 00:00

Shqipëria me 6 pikë është e para në grup, e para deri në ndeshjen e ardhshme të së dielës, përballë Spanjës në “Loro Boriçi”.

Rekordi i këtij pozicionimi, pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para eliminatore, vjen në një datë historike, në atë të 70-vjetorit të debutimit zyrtar të Kuqezinjve.

Në kaq shumë vite, kjo skuadër i ka provuar të gjitha, uljet-ngritjet deri tek izolimet dhe rikthimi në majat e mundësive.

Suksesi i Europianit të Francës 2016-të, është kulmi i futbollit modern për Shqipërinë, që zanafillën e ka që në gjenezë.

7 tetori i vitit 1946 është debutimi i kombëtares shqiptare në një aktivitet zyrtar, siç ishte Ballkaniada. Një skuadër e mbledhur mes emrave të mëdhenj të atyre viteve, të drejtuar, ashtu si tani nga një i huaj, trajneri serb Ljuibisha Broçiç.

Kjo datë përkon edhe me humbjen e pare, pasi Shqipëria e humbi përballë Jugosllavisë 3-2, rezultat ky që nuk i pengoi kuqezinjtë e Broçiçit të merrnin trofeun e parë, atë të Ballkaniadës pak ditë më pas, i vetmi për futbollin shqiptar deri më tani.

Ndryshe nga e tanishmja, ajo kombëtare me emra më të mëdhenj të kohës dhe të futbollit shqiptar, fatkeqësisht ishte viktimë e politikës, e cila u izolua në dy periudha, nga viti 1953 deri në 1957 dhe nga viti 1973 deri në vitin 1980.

Periudha e demokracisë, e fillimit të viteve ’90 solli edhe çlirimin e Kombëtares. Pas viteve 2000 nisi edhe një tjetër epokë e Shqipërisë, ajo e trajnerëve të huaj që kulmuan me suksesin e De Biasit, në verën e shkuar me pjesëmarrjen në Europian.

Një hap i parë i një niveli tjetër. Sot ne udhëheqim një tjetër grup, atë të eliminatoreve të botërorit.

Top Channel