Impiantet e ujërave të zeza, në Tiranë projekti përfundon në 2018-n

07/10/2016 00:00

Vonesat për ndërtimin e impiantit të ujërave të ndotura të Tiranës janë tejkaluar sipas Ministrisë së Transportit dhe po punohet që brenda 2018 të përfundojë faza e parë ku kryesisht janë punë civile. Ministri Sokol Dervishaj inspektoi punimet dhe kërkoi të vazhdoj bashkëpunimin me qeverinë japoneze për fazën e dytë, që parashikon vendosjen e makinerive përpunuese.

Financimi për këtë impiant që po ndërtohet pranë Kasharit është bërë nga qeveria japoneze, me rreth 95 milionë euro. Ai parashikon ndërtimin e kanalizimeve të ujërave zeza në zonën e pellgut të Lumit të Lanës. Kapaciteti i impiantit mbulon 350.000 banorë ose afërsisht përpunon një prurje 75.000 m3/ditë.

Por problematik me impiantet e ujërave të zeza në Shqipëri janë të shumta. Në dy qytetet kryesore turistike Durrës dhe Vlorë janë ndërtuar dy të tillë, por ndotja e ujërave në det mbetet e lartë. Pak ditë më parë drejtuesi i delegacioni europian i një prej projekteve për ujësjellës-kanalizmeve tha në  Durrës se investimet e bëra me fondet e BE nuk mirëmbahen.

“Në sektorin e ujërave niveli i trajtimit dhe mbetjeve është i ulët, pasi dhe investimet e kryera nuk mirëmbahen. Janë dëmtuar. Infrastruktura është e dobët”, tha Hubert Grandjean, delegacioni i BE-së, menaxher programi.

Ndërkohë për Ministrinë e Transporteve impiantet e ujërave të zeza në Durrës dhe Vlorë nuk janë vënë në punë me kapacitet të plotë pasi dhe investimet nuk kanë përfunduar. Në 2017 do të bëhet shtrija e krejt rrjetit të kanalizimeve.

Top Channel