Veliaj: Certifikatë përdorimi për pallatet e pahipotekuara, fitojnë 30% e qytetarëve

07/10/2016 00:00

Pallatet që për shkak të mungesës së dokumentacionit apo përgjegjshmërisë së ndërtuesve nuk kanë hipotekë, tashmë do e marrin një të tillë duke u pajisur me certifikatë përdorimi nga bashkia. Nga kjo nismë përfitojnë rreth 30% e qytetarëve.

Kreu i bashkisë Erion Veliaj paraqiti propozimin e tij para Këshillit Bashkiak të Tiranës. “Vetëm në Tiranën brenda vijës së verdhë ka 1375 objekte të tilla. Në total, në Bashkinë e Tiranës që kemi sot rreth 30% e ndërtesave janë të pa hipotekuara dhe arsyeja kryesore për këtë është sepse nuk pajiseshin dot me leje përdorimi. Në shumicën e rasteve përgjegjësia për këtë situatë është e ndërtuesve dhe investitorëve, por ata që kanë paguar pasojat janë qytetarët. Ne kemi arritur t’u japim tashmë hipotekën disa pallateve në Tiranë, por me këtë vendim besoj se i japim një zgjidhje të qëndrueshme këtij problemi”, tha Veliaj.

Subjektet e interesuara, zhvilluesi, ndërtuesi ose qytetarët posedues të njësive të shërbimit apo banimit mbajtës të ligjshëm të kontratave të blerjes duhet të paraqesin kërkesë pranë Bashkisë së Tiranës brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Në bazë të kërkesës së paraqitur struktura përgjegjëse pranë Bashkisë do kryejë aktkontrollet që vërtetojnë se objektet janë kryer në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit dhe se në ditën e kontrollit nuk kanë sipërfaqe dhe volume shtesë në raport me ato të miratuara me lejen e ndërtimit. Në bazë të aktkontrollit të kryer dhe dokumentacionit të paraqitur struktrura përgjegjëse do të kryejë rishikimin e kushteve të lejes së ndërtimit. Pajisja me certifikatë përdorimi bëhet pas kryerjes se procedurave të përcaktuara dhe objektet e përcaktuara pajisen me çertifikatë përdorimi për sipërfaqe dhe volumin e përcaktuar në lejen e ndërtimit të rishikuar.

Top Channel