Man. City në merkato, gati 168 mln euro për 3 lojtarë

07/10/2016 00:00

Manchester City ka filluar të mendojë për merkaton e transferimeve të vitit 2017. Trajneri Pep Guardiola ka kërkuar  investime të tjera për përforcimin e skuadrës, pavarësisht shpenzimit të 200 milionë eurove në verën e këtij viti. Sipas tabloidit “Daily Mirror”, “citizens” janë gati të shpenzojnë 168 milionë euro për blerjen e 3 futbollistëve.

Një prej emrave që  është shënuar në listën e dëshirave të trajnerit Guardiola është ai i Hektor Bellerin, kartoni i të cilit te Arsenali vlerësohet 45 milionë euro. Mbrojtësi i ri i “topçinjve” është vënë edhe në shenjën e Barcelonës, ku ai është i formuar si futbollist. Megjithatë do të jetë e vështirë që Arsenali të heqë dorë nga shërbimi i tij me klubin anglez që i ka ofruar rinovimin e kontratës futbollistit edhe për 5 vjet të tjerë.

Futbollisti i dytë në listën e objektivave të Man. City është Leonardo Bonucci dhe ky nuk është aspak një lajm i ri. Vlera e kartonit të mbrojtësit italian arrin deri në 68 milionë Euro, shifër të cilën është gati ta paguajë edhe skuadra e Chelseat për ta sjellë në “Stamford Bridge”.

Por luftën më të madhe duket se City do ta bëjë me Realin e Madridit. Klubi anglez ka vënë në shënjestrën e tij edhe Pierre Emerick Aubameyang në gjurmët e të cilit është vënë prej kohësh klubi “merenges”.

Sulmuesi nga Gaboni ka gjetur akordin me drejtuesit e Dortmundit për largim në verën e ardhshme, por porta e Realit të Madridit mund t’i mbyllet për shkak të ndëshkimit të FIFA. Vlera e kartonit të Aubameyang arrin deri në 56 milionë euro.

Top Channel