Ismailaj bllokon gjyqin. Kërkon në gjykatë ish-bashkëpunëtorin të dëshmojë

07/10/2016 00:00

Pas dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur Romeo Karaj, i cili rëndoi shumë pozitën penale të ish-administratorit të DIA-s, të pandehurit Kastriot Ismailaj, ky i fundit po përdor të gjithë mundësitë proceduriale që gjykata të mos marrë si provë dëshminë e Elvis Matës, ish-drejtorit ekzekutiv të DIA-s.

Ky i fundit, që nga momenti që ka dhënë dëshminë kundër Ismailajt, gjatë fazës së hetimit paraprak nuk gjendet më, ndërsa prokuroria kërkoi që t’i lexohen thëniet. Kjo kërkesë u kundërshtua nga i pandehuri Ismailaj, sipas të cilit, organi i akuzës nuk ka bërë asnjë përpjekje për të gjetur dëshmitarin Mata.

Sipas Ismailajt, Mata banon në Mynih të Gjermanisë dhe prokuroria duhet ta gjejë. Përveç këtij fakti, i pandehuri Ismailaj pretendon se dëshmia e Matës, që mbahet si provë ndaj tij nga prokuroria, është përdorur më parë nga OSHEE-ja gjatë procesit të arbitrazhit mes DIA-s dhe OSHEE-së dhe si e tillë nuk mund të përdoret në procesin penal.

Gjykata nuk e pranoi këtë pretendim, duke i kërkuar prokurores të lexojë thëniet e dëshmitarit. Në këtë moment, i pandehuri Ismailaj, nëpërmjet dy mbrojtësve të tij, kërkoi përjashtimin e trupit gjykues, me argumentimin për shkelje të një procesi të rregullt ligjor. Edhe pas kësaj kërkese, kryesuesja e trupit gjykues Vjollca Spahiu vendosi vazhdimin e procesit, derisa një tjetër trup gjykues të vendosë për përjashtimin.

Por, kësaj radhe ishin avokatët mbrojtës ata të cilët u larguan nga salla në mënyrë demonstrative. Në këto kushte, gjykata vendosi një avokat kryesisht për Ismailajn, ndërsa seanca u shty për t’i lënë kohë avokates kryesisht të njihet me dosjen voluminoze.

Top Channel