Arratisje spektakolare, lojtari i Ekuadorit sajon dëmtimin duke mashtruar policinë

07/10/2016 00:00

Një skenë arratisje në një ndeshje futbolli, aspak e veçantë, por ka ndodhur në takimin e zhvilluar me Ekuadorit dhe Kilit. Enner Valencia, sulmuesi i Evertonit i huazuar te West Ham në Premier League zbriti normalisht në fushë, pavarësisht se ndaj tij kishte një mandat arresti, sepse nuk ka paguar detyrimet ushqimore ndaj ish-bashkëshortes dhe së bijës.

Me policinë që e mbante nën vëzhgim, duke rrethuar autobusin e përfaqësueses përpara ndeshjes, në minutën e 82-të, sulmuesi i Ekuadorit sajoi një dëmtim, me qëllimin për t’u arratisur nga stadiumi.

Valencia bëri sikur u ndje keq në fushë, madje mjekët i vendosën edhe maskën e oksigjenit në fytyrë. Policia rrethoi menjëherë barelën lëvizëse, që për çudinë e të gjithë kur doli në pistën me tartan e rriti shpejtësinë, duke u shkëputur.

Në atë moment u regjistruan imazhet zbavitëse, të forcave të shumta të policisë që e ndiqnin me vrap, ndërsa lojtari po dërgohej te ambulanca që e priste në daljen e emergjencës të hapur.

E gjithë skena të bënte të kuptoje se bëhej fjalë për një arratisje të organizuar, sepse arrestimi nuk mund të kryhej në spital. Një arratisje e mbetur në tentativë, sepse disa orë më pas, avokati i sulmuesit njoftoi që ka gjetur marrëveshjen me drejtësinë ekuadoriane, për heqjen e mandat arrestit të futbollistit.

Top Channel