Hashashi, shtohen parcelat dhe asgjësimi. Raporti i GDF: 99.8% të zbuluara dhe asgjësuara

07/10/2016 00:00

Këtë vit në Shqipëri është asgjësuar një sasi kanabisi tre herë më shumë se në vitin 2015. Nga 800 mijë bimë që u asgjësuan vjet, këtë vit janë asgjësuar 2 milion e 400 mijë bimë të asgjësuara në total, 750 mijë prej të cilave janë shkatërruar pas identifikimit nga ajri të minsionit Interforcë.

Në konferencën e përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Financa, u bë e ditur gjithashtu se janë zbuluar edhe 700 parcela më shumë se një vit më parë, kjo edhe falë avionit italian të monitorimit në territorin shqiptar, i cili ka kryer 42 fluturime.

Risia e këtij viti ka qenë fara e njohur si vietnameze.

“Vlen të theksohet se këtë vit është evidentuar një bimë narkotike me cikël më të shkurtër, rreth 45-50 ditë, e cila rezulton të ketë një përhapje rreth 70 përqind më shumë nga bima tjetër, por me një prodhim më të ulët nga bima e parë”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Një nga përfaqësuesit e policisë italiane iu përgjigj pyetjes së Top Channel mbi debatin e ekzistencës së një raporti sekret mbi kanabisin në Shqipëri.
 
“Unë personalisht nuk kam dijeni për një raport të tillë. Ndoshta duhet të pyesni autoritete të tjera përkatëse”, tha Antonio Molinaro nga policia kriminale italiane.
 
Autoritetet italiane shprehin shqetësimin edhe për mënyrat e reja që trafikantët shqiptarë po përdorin për transportin e kanabisit përmes Adriatikut.
 
“Trafikantët po eksplorojnë për mënyra të reja për të kaluar drogën. Kemi kontaktuar rastet me motorat e ujit që është një mënyre efikase le të themi sepse këto mjetet është shumë e vështirë të kapen nga radarët”, thotë përfaqësuesi i policisë italiane Joselino Minuto.
 
Po ashtu zyrtarët e policisë italiane vlerësuan kolegët e tyre shqiptar për bashkëpunimin, ndërkohë që theksuan se kultivimi i kanabisit nuk është vetëm një fenomen shqiptarë.
 
“Tek ne në Itali ka qytetarë që e kultivojnë kanabisin në shtëpi në vazo. Në zona të caktuara na kanë qëlluar me armë edhe helikopterët e policisë”, thotë Molinaro.

Top Channel