Rama: Pa riciklimin e mbetjeve, humbje e madhe në disa plane

07/10/2016 10:30

Kryeministri Edi Rama, në një takim me ricikluesit dhe krerët e bashkive, foli sërish për çështjen e importit të mbetjeve, të cilën e konsideroi “çështje me sensibilitet të madh për qytetarët”.

“Ndalohet rreptësisht importi i plehrave për djegie apo groposje. Autorizimi për importin e mbetjeve iu jepet vetëm subjekteve që riciklojnë. Nëse nuk do të ndërmerrnim këtë hap do të shkonim drejt një humbjeje të madhe në disa plane. Do të humbisnim 234 milionë euro në teknologji, nëse nuk miratohej ligji”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “industria ricikluese duhet të jetë një nga motorët e zhvillimit ekonomik” në vendin tonë.

“Shqipëria sot është më e pastër seç ishte 3 vjet më parë, por ende nuk është aq i pastër sa duhet. BE-ja synon që në vitin 2020 të ketë mesatare të riciklimit të mbetjeve 50%. Është ambicie shumë e madhe, ndërsa ne duam që deri në këtë vit të jemi mbi 35%”, shtoi kreu i qeverisë.

Rama tha se kjo bëhet vetëm duke pasur një marrëdhënie të mirë mes bashkive dhe industrisë ricikluese.

Top Channel