Rivalët; Itali-Spanjë 1-1, Izraeli befason Maqedoninë

06/10/2016 00:00

Italia dhe Spanja nuk nxorrën dot një fitues mes tyre duke barazuar 1-1 në Torino, pas një 90 minutëshi të dominuar kryesisht nga La Furia Roja. Izraeli mori fitoren e parë në grup pasi mundi në Shkup, Maqedoninë me rezultatin 2-1.

Të kaltërit ndryshe nga Europiani patën vështirësi në përballimin e iberikëve, të cilët megjithatë golin e epërsisë e gjetën falë një gabimi të Buffonit, që gaboi në dalje duke lejuar Vittolon të shënonte.

Pavarësisht se zhvilloi një ndeshje të dobët, Italia megjithatë arriti të marrë një pikë falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga De Rossi.

Një barazim që mban të dyja ekipet në kuotën e katër pikëve në grup pas shpatullave të Shqipërisë kryesuese.

Izraeli ka dalë triumfues në Shkup duke marrë edhe fitoren e parë në grup. Vendasit dominuan në lojë, por golat i shënuan izraelianët, që në minutën e 25-të morën kryesimin me Hemed.

Në të 43-tën, Ben Haim u duk sikur mbylli përfundimisht ndeshjen me golin e 0-2, por në të 63-tën Nestorovski shkurtoi diferencën. Gjithsesi vetëm kaq, pasi deri në fund Izraeli mbrojti rezultatin duke marrë fitoren e parë në grup.

Top Channel