Bylykbashi: Projekti për KLGJ dhe KLP shkelte Kushtetutën

06/10/2016 00:00

Parlamenti kishte në kalendar gjashtë projektligje të reformës në drejtësi, mes të cilëve edhe ai për ngritjen e institucioneve që konsiderohen si “Qeveria” e sistemit, por që u tërhoq nga votimi për një afat të pacaktuar.

Top Channel ka mësuar se kjo tërheqje e projektligjit që organizon dhe përcakton funksionimin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë është bërë nga mazhoranca me shpresën e gjetjes së një konsensusi, edhe me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan, Donald Lu.

Në listën e opozitës për t’u votuar ishte vetëm një projektligj, ai i SPAK-ut, të cilit deputetët demokratë i dhanë votën pro dhe u larguan. Katër ligje të tjera u kaluan me 86 vota nga mazhoranca, ndërsa ai për KLGJ dhe KLP u shty. Por pse nuk u votua?

Duke folur në një lidhje direkte me Top Story-n, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se ai binte ndesh me Kushtetutën e miratuar me konsensus në korrik.

“Është bërë kjo tërheqje me kërkesë të mazhorancës. Ndoshta ka të bëjë me një propozim të kryeministrit, sipas të cilit duket se e pranon gabimin në mënyrën sesi e kanë përcaktuar formulën e emërimit të anëtarëve gjykatës apo prokurorët. Ato janë përtej asaj që lejon Kushtetuta, e kësisoj antikushtetuese. Propozimi është në shkelje të Kushtetutës, e cila ka qartësi maksimale: procesi fillon dhe mbaron brenda Parlamentit, çdo propozim tjetër do të ishte në kundërshtim flagrant me gërmën e Kushtetutës “, tha Bylykbashi.

Por a do të negociojnë palët për këtë?

“Nuk e di nëse duhet të negociohen më apo jo. Më 21 korrik kemi mbyllur një nen kushtetues, kështu që nuk dua të bëj asnjë lloj spekulimi, as në lidhje me nismën për një rinegociim të dytë me nismë të ambasadorit Lu. Kur arrihet një kompromis, ai nuk mund të rinegociohet. Ligjet kushtetuese nuk mund të bëhen dhe të zhbëhen sa herë që i teket kryeministrit apo dikujt tjetër. Çdo përpjekje për të krijuar filtra apo bllokues, që Parlamentit t’i vijnë vetëm kandidatura majtas, apo djathtas, këtë nuk e lejon Kushtetuta”, deklaroi ai.

Sa i takon SPAK-ut, Bylykbashi thotë se është instrumenti efikas që do të godasë drejtpërdrejtë korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe qeveritarëve.

Një shqetësim i ngritur nga Partia Demokratike është edhe shit-blerja e votës, për të cilën kërkon kriminalizimin e saj.

“Platforma e PD-së e prezantuar në maj në Kuvend përfshin edhe këtë. Një nga pikat do të jetë cilësimi i shitblerjes së votës, nga një vepër thyerje kontrate në një vepër korrupsioni”, tha ai.

Top Channel