Çështja çame, “mollë sherri” në politikën greke

06/10/2016 00:00

Hartimi i dokumentit “non paper”, që Ministria e Jashtme greke i ka dorëzuar Tiranës zyrtare, si dhe politika e ndjekur nga diplomacia greke në marrëdhëniet me Shqipërinë përsa i përket çështjes çame, janë bërë objekt i politikës së brendshme në Greqi.

Një ditë pasi ministri i Jashtëm Nikos Kotzias ka sqaruar në një intervistë radiofonike dhe më pas me një njoftim zyrtar sesi ka vepruar në lidhje me çështjen kaq të përfolur të ditëve të fundit, Ministria e Jashtme publikon edhe një deklaratë të dytë me tone të ashpra kundër opozitës.

Aty akuzohen deputetët konservatorë, që sipas kreut të diplomacisë greke po ekspozohen vazhdimisht duke jetësuar të pavërteta dhe pasaktësi të çdo lloji të disa faktorëve të qeverisë shqiptare, në kurriz të politikës së jashtme të Greqisë, madje edhe ato që bëhen për qëllime të vogla politike të brendshme në Shqipëri.

Sipas Kotzias, Greqia, të paktën qeveria aktuale, kurrë nuk ka pranuar se ekziston çështja çame. Së dyti, Ministria e Jashtme greke i dha palës shqiptare një dokument “non paper” me çështjet për t’u zgjidhur midis dy vendeve dhe e vetmja referencë për çështjen që nuk ekziston është se, ajo është vendosur tashmë nga gjykatat greke, theksohet në deklaratë.

Së treti, Greqia ka informuar për këtë Komisionin Europian në mënyrë që të theksojë “vijat e kuqe”. Dhe është e pakuptimtë, që kjo referencë të interpretohet si ndërkombëtarizim i një çështjeje që nuk ekziston, për të cilën Greqia gjoja ka kërkuar negocimin e Komisionit, thuhet më tej.

E vetmja që e hapi këtë çështje në mënyrë të pamenduar ishte një deputete e “Demokracisë së Re”. Së katërti, informimi për “vijat e kuqe” u bë pasi çamët marrin pjesë në qeverinë shqiptare, fakt të cilin Greqia e ka dënuar, përfundon deklarata.

Kotzias paralajmëron edhe njëherë opozitën greke, që të ketë një qëndrim më të përgjegjshëm, sidomos kur diskutohet për trajtimin e çështjeve të ndjeshme kombëtare.

Top Channel