“Lojtari” i tre kombëtareve

06/10/2016 00:00

Kur e lidhim futbollin me Gjakovën, mendja na shkon te Besnik Hasi apo Lorik Cana, por 25 vjet përpara tyre nga ky qytet doli një yll tjetër, Ardian Kozniku. Pati fatin e mirë dhe të keq të luante me kombëtaren e Kroacisë: të mirë sepse luante në një plejadë të artë, të keq se nuk mundi të përfaqësonte dot Kosovën.

TCH: Nëse do të kishit mundësinë 25 vjet më parë kë do të zgjidhnit, Kroacinë, Kosovën apo ndoshta Shqipërinë?

Ardian Kozniku: Unë luajta për ekipin e Kroacisë, por prezantoj futbollin shqiptar, në përgjithësi Kosovë, Shqipëri.

Ish-sulmuesi gjakovar që ishte pjesë e Kroacisë në finalet e botërori 1998 mendon se fakti që tanimë janë dy ekipe shqiptare kjo i bën mirë vetëm futbollit dhe të gjithë atyre talenteve që do të përfaqësojnë këto dy shtete.

“Janë dy shtete dhe të dyja u duam të mirën”, shprehet Kozniku.

Kozniku që ruan me nostalgji kujtimin e miqësores Kosovë-Shqipëri të vitit 2002 mendon se është i tepërt debati për zgjedhjet e futbollistëve dhe shënjestron trajnerin e Kosovës, duke thënë se duhet më shumë transparencë në zgjedhjet që ai ka bërë.

“Kemi shumë lojtarë dhe nuk duhet t’i ngarkojmë djemtë. Ata duhet të zgjedhin me zemër. Mirëpo këtu është me shumë rëndësi që trajneri të jetë më transparent”, thotë Kozniku.

Sot Kosova luan përballë Kroacisë, një prej kundërshtarëve më të fortë të grupit ku ajo bën pjesë dhe pavarësisht diferencave në kualitete, Kozniku shprehet se nuk ka ç’të humbasë, por të mendojë për të ardhmen.

“Kosova nuk ka se çfarë të humbi në këtë ndeshje. Edhe nëse do ta humbin në këtë ndeshje do të mundet nga një ekip shumë cilësor dhe renditen në 10 ekipet më të mira në botë”.

Ardian Kozniku që në karrierën e tij ka luajtur me shumë klube të njohura evropiane, ai Dinamo Zagrebit, Hajduk i Splitit, Apoel dhe Bastia thotë se ndjehet krenar që dëgjon kaq shumë emra talentesh në Europë.

“Jam i befasuar me shqiptarët e shumtë që janë nëpër Europë, por edhe në të gjithë botën. Kështu që është krijuar problem për të dyja kombëtaret në zgjedhjet e tyre”, shprehet Kozniku.

Top Channel