PD voton SPAK dhe largohet, mazhoranca voton të tjerët; tërhiqet “Qeveria” e drejtësisë

06/10/2016 00:00

Partia Demokratike votoi së bashku me mazhorancën ligjin për ngritjen e strukturës së posaçme antikorrupsion (SPAK) dhe braktisi sallën e punimeve në Kuvend.

Pavarësisht largimit të opozitës, maxhoranca nisi e vetme votimin e ligjeve të tjera në kuadër të paketës së reformës. Me 86 votat e shumicës kaluan projektligjet për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ai për funksionimin e prokurorisë, ai për organizimin e pushtetit gjyqësor dhe ai për disa ndryshime në organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, u shty për një afat kohor të papërcaktuar projektligji për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë, ku përfshihen dy strukturat, këshilli i lartë gjyqësor dhe ai i prokurorëve.

Diskutimi i këtyre projektligjeve në seancë plenare pati jo pak debate mes Kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berishës.

Votën pro SPAK-ut të opozitës e paralajmëroi me herët ish-Kryeministri Sali Berisha, duke çelur një debat se kush e do dhe kush nuk e do reformën në drejtësi me Kryeministrin Edi Rama.

“Kanë ndarë mënjanë si gjithmonë, që kur ka filluar ky proces, vetëm Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe bëjnë sikur nuk e dinë që kjo strukturë pa institucionet e tjera nuk mund të ngrihet. Në emër të frikës së tyre, nga ajo që mendojnë që i pret nga zbatimi i reformës, duan t’ua mohojnë shqiptarëve aksesin në drejtësi si të barabartë”, tha Rama.

Ish-Kryeministri Berisha akuzoi Ramën se synon kapjen e drejtësisë. Sipas tij, lidhjet e qeverisë me “drogën dhe përdhunimet, bëjnë që “vetting-u i Edi Ramës është vetëm nepotizëm dhe lidhje me krimin”.

“Kur për vetting-un në Strazburg zgjodhi kunetërit e tij, kë mendoni ju se do të vendosë këtu?”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, “reformën e pengojnë sot sarajet e Surrelit”, “sepse ka frikë dhe tmerr se nuk justifikon dot vilën që ka, për të cilën thotë se e ka blerë me 1 euro metri katror”, ka vijuar ish-kryetari i PD.

Më tej ai e ka akuzuar kreun e qeverisë se mashtron dhe tallet me qytetarët kur flet për ulje taksash, rritje ekonomike, apo se paguajnë më lirë çmimin e energjisë.

Ndërkohë, në këtë seancë u votua edhe ngritja e një Komisioni Hetimor për hetimi e çështjes së pajisjes së “IMSI Catcher” të Ministrisë së Brendshme.

Top Channel