Morina “rihap” dyert për kosovarët. Dyndje drejt Shkodrës për sfidën me Kroacinë

06/10/2016 00:00

Hera e fundit që është parë një eksod kaq i madh i shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë ka qenë në vitin e largët 1999. Sigurisht, për arsye krejtësisht të ndryshme nga “eksodi” që kemi parë mesditën e sotme, në vitin 2016. Për herë të parë, përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen me Kroacinë në “shtëpi”. Në shtëpinë e madhe të të gjithë shqiptarëve, në Shkodër.

“Kemi ardhur ne fanella kuqezi dhe me flamuj kuqezi, por policia na i ka ndaluar pak më herët në pikën e kontrollit kufitar”, u shprehën disa tifozë.

“Sot kemi ardhur me ngjyrat blu, ndërsa të dielën me shpresë te Zoti me fanellën kuqezi. Vijmë nga Zyrihu. Mendoj se sot do të fitojmë 2-1, ndërsa Shqipëria do të fitojë 5-0 sepse luan me Lihtenshtajnin”, tha një shqiptar i ardhur nga Zvicra enkas për ndeshjen e Kosovës ndaj kroatëve në Shkodër.

“Po jemi me ngjyrat blu, por flamurin shqiptar e kemi në Shkodër. Sigurisht edhe zemrën e kemi shqiptare”, u shpreh një tjetër tifoz i intervistuar.

Sipas të dhënave të Policisë Kufitare, ditën e enjte kanë hyrë në territorin shqiptar, me destinacion qytetin e Shkodrës, 15.600 shtetas, ndërsa janë numëruar rreth 80 autobusë dhe 2.600 vetura.

Për ndeshjen midis Kosovës dhe Kroacisë, Policia shqiptare ka ndërmarrë masa të forta sigurie, teksa janë angazhuar 1.200 forca policie, të FNSH-së dhe policisë vendore.

Për zhvillimin normal të ndeshjes, drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë, Altin Qato zhvilloi takim me përfaqësuesin e UEFA-s, ndërsa u bë kontrolli i ambienteve të stadiumit edhe me qen antieksploziv. Policia njofton se skuadrat dhe tifozeritë do të shoqërohen gjatë dhe pas aktivitetit.

Top Channel