Uragani “Matthew” zbraz Floridën. Mbi 100 viktima e dëme të shumta në Haiti

06/10/2016 00:00

Bilanci i vdekjeve nga uragani shkatërruese “Matthew” në Haiti ka mbërritur në mbi 100. Vazhda e dëmeve që “Matthew”, i kategorizuar tashmë si stuhi e shkallës së katërt, ka lënë pas në vendin e varfër është e paimagjinueshme.

Njëri prej qyteteve të gjendura në rrugën e tij, Jeremie është rrafshuar thuajse krejtësisht nga faqja e dheut. Uragani, që solli me vete shira të rrëmbyer dhe erëra me shpejtësi 230 km në orë, llogaritet të ketë kthyer në gërmadha mbi 3.200 shtëpi, ka zhvendosur 15 mijë vetë, ka shkatërruar plantacione e ka mbytur kafshë.

Përpjekjet për të mbërritur në zonat më të prekura, si Grand’Anse, janë penguar nga ujërat e përmbytjeve dhe shkatërrimit të një ure kyçe për lëvizjen në rajon.

Bota, megjithatë, duket se nuk do t’i harrojë haitjanët në këtë moment të vështirë. Shefja e FMN-së, Christine Lagarde u shpreh e gatshme të ndihmojë viktimat e stuhisë më të madhe të një dekade në Atlantik.

“Kemi linja të reagimit të shpejtë, të cilat mund të vihen në lëvizje menjëherë, e padyshim do të bëjmë çdo gjë që të mundemi, për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë”, tha Christine Lagarde, shefe e FMN-së.

Pas vdekjeve që la pas në Haiti, “Matthew” u përplas në Bahamas e kërcënon t’i drejtohet Floridës. Paralajmërimi i dhënë banorëve nga guvernatori Derrick Henry ishte frikësues. “Kjo stuhi do t’iu vrasë”, ishin fjalët e tij. Henry u ka kërkuar banorëve të mos ngurrojnë të largohen.

“Kujdesuni për jetën tuaj. Për shtëpinë e sendet që keni në zotërim mendoni më vonë”. Autoritetet apeluan për evakuimin e mbi dy milionë personave në rajonet bregdetare të Floridës, Xhorxhas dhe Karolinës së Jugut, numri më i madh ky i kërkuar i shpërnguljeve të përkohshme në Shtetet e Bashkuara, që kur uragani “Sandy” u përplas mbi brigjet lindore të vendit në vitin 2012.

Top Channel