“Lufta e Tretë Botërore, shkatërrimtare, e shkurtër dhe…e sigurtë”

06/10/2016 00:00

Marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë janë më të tensionuarat që prej Luftës së Ftohtë dhe kjo ka bërë që njerëzit të flasin gjithnjë e më shumë për një luftë të tretë botërore.

Shumë janë skeptikë për një skenar të tillë, por i thënë nga ushtarakë të lartë amerikanë, ky skenar bëhet akoma më i besueshëm.

Gjeneralë, kolonelë dhe admiralë të Shteteve të Bashkuara u mblodhën në Uashington në një konferencë për ‘të ardhmen e ushtrisë’, ku bënë një parashikim tepër të zymtë për të.

Thuajse të gjithë ishin në një mendje kur thanë se Lufta e Tretë Botërore jo vetëm që është e pashmangshme, por do të jetë edhe më e shkurtër dhe shumë herë më gjakatare se dy çmenduritë e para botërore.

Siç raporton “Defense One”, Gjeneral/Major, William Hix tha se një konflikt global i në të ardhmen e afërt do të jetë tejet vdekjeprurës, i shkurtër dhe Shtetet e Bashkuara të vetme nuk do të kenë në dorë mbylljen e tij.

Në konferencë është folur edhe për rolin e teknologjisë, ku drejtuesit e ushtrisë amerikane mësohet të kenë kërkuar një marrëdhënie të re mes njeriut dhe makinerive inteligjente.

“Shpejtësia me të cilën do të rrjedhin ngjarjet tejkalon aftësitë njerëzore, ndaj një pjesë e vendimeve do t’u lihet në dorë makinerive”, citohet Hix.

Gjenerali amerikan nënvizon “dy rreziqe të mëdha për Shtetet e Bashkuara”, Kina dhe Rusia.

“Që të dyja këto vende po investojnë shumë në teknologji dhe po zgjerojnë shumë ushtritë e tyre. Kjo duhet të na gjejë gjithnjë të përgatitur, edhe për skenarë shumë më tragjikë se ai Korean”, thotë ai.

Lufta në Kore është lufta ku Shtetet e Bashkuara kanë pësuar humbjet më të mëdha në ushtrinë e vet. Rreth 30 mijë ushtarë gjetën vdekjen në konfliktin që u shua me krijimin e dy shteteve, Veriut komunist të mbështetur nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina në atë kohë dhe Jugu i mbështetur nga SHBA.

Gjenerali Joseph Anderson citohet të ketë ketë folur për kërcënime nga “shtete moderne që po sillen gjithnjë e më agresivë në fushën ushtarake duke provokuar vazhdimisht”, referuar këtu Rusisë, por ndoshta edhe Kinës, që ka shtuar aktivitetin e vet ushtarak në Detin e Kinës.

Ai që i vuri vulën, po sipas të njëjtave burime, është Shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, Gjenerali Mark A.Milley.

“Lufta mes shteteve është thuajse e sigurtë”, mësohet të jetë shprehur ai, duke shtuar se Pentagoni duhet të vazhdojë të investojë në teknologji për të ruajtur supremacinë amerikane në luftën ajrore, supremaci e vendosur që nga koha e luftës koreane.

Top Channel