Doni të dukeni më të zgjuar se ç’jeni në të vërtetë?

06/10/2016 00:00

Disa persona lindin më të zgjuar se të tjerët, natyrshëm çështje gjenetike. Por, kjo nuk do të thotë se ju nuk mund të dukeni më inteligjentë se ç’jeni. Ka disa mënyra të mbështetura edhe shkencërisht, që t’i bindni të tjerët se ju mund të jeni një Einstein i kohëve moderne. Më poshtë po përmbledhim vetëm 12 prej tyre.

Mos e mbani në duar birrën
Njerëzit shpesh herë bëjnë gafa dhe gjëra idioteske pasi kanë konsumuar shumë alkool. Mos harroni se, edhe mbajtja e një gote birre në dorë ju bën juve të dukeni më pak inteligjentë, sipas një studimi të përbashkët të Universiteteve të Michiganit dhe Pennsylvanisë. “Njerëzit që mbajnë në duar një pije alkoolike paragjykohen si më pak inteligjentë sesa ata që e lënë në tryezë, edhe pse është një paragjykim që shumë vetë e cilësojnë si idiotësi”, shkruajnë autorët Scott Rick dhe Maurice Schweitzer. Në një prej 5 eksperimenteve të zhvilluara prej hulumtuesve, 300 menaxherë panë fotografitë dhe transkriptimet e një interviste hipotetike gjatë një darke. Rezultatet treguan se menaxherët kuptuan se, kandidatët që porositën verë në vend të një pijeje freskuese u paragjykuan shumë më pak të zgjuar dhe më pak pretendentë për t’u punësuar.

Ecni me të njëjtin ritëm si të gjithë të tjerët
Një studim i udhëhequr nga profesori i Marketingut në Universitetin e Bostonit, Carey Morewedge, zbuloi se nëse ecni më shpejtë, ose më ngadalë, sesa njerëzit që iu rrethojnë, atëherë mund të dukeni si budallenj. Në këtë studim, 49 studentë panë pamjet filmike të 3 personave të ndryshëm që ecnin, sipas rastit, më ngadalë se mesatarja; po aq sa mesatarja; dhe më shpejt sesa mesatarja e të tjerëve. Ata përcaktuan më pas sesa kompetentë apo inteligjentë dukeshin personat krahasuar me të tjerët. Rezultatet tregojnë se njerëzit u perceptuan si më të zgjuar dhe kompetentë, kur ata lëviznin me të njëjtin ritëm si të gjithë të tjerët në rrugë.

Mbani syze të trasha
Studiuesit sugjerojnë se, nëse mbani syze, ju do të dukeni më pak tërheqës, por më shumë inteligjentë. Në një studim të tyrin, hulumtues nga Universiteti i Vjenës thirrën 76 pjesëmarrës që të shihnin 78 imazhe fytyrash, – disa prej të cilave pa syze, disa me syze me skelet të trashë dhe të tjerë me skelet të hollë, – për t’i vlerësuar më pas mbi një sërë tiparesh, përfshi inteligjencën dhe tërheqshmërinë. Sipas gjetjeve të studiuesve, njerëzit që mbanin syze (me skelet çfarëdo) perceptoheshin si më inteligjentë sesa ata pa syze. Gjithashtu, ata pa syze shiheshin edhe si më pak tërheqës sesa ata me syze me skelet të trashë. Pra, ndiqni modën për t’u dukur më të zgjuar.

Përdorni inicialin e mesëm të emrit tuaj (atë të babait)
Kjo gjë do t’iu bëjë juve të dukeni një intelektual. “Iniciali i mesit i emrit të njerëzve ka një efekt veçanërisht të fuqishëm te mënyra sesi perceptohen ata nga të tjerët”, thotë psikologu Wijnand A.P. Van Tilburg i Universitetit të Southamptonit, por edhe Eric R. Igou nga Universiteti i Limerickut. “Shfaqja e inicialit të mesëm rrit statusin e perceptuar social të këtyre personave”, shkruajnë ata në “European Journal of Social Psychology”. Kjo gjë jep edhe konkluzione pozitive në lidhje me kapacitetin e tyre intelektual dhe performancën, sipas tyre. Studiuesit arritën këtë përfundim pas kombinimit të 7 studimeve të ndryshme mbi inicialet në fjalë. Në njërin prej tyre, 85 studentëve iu kërkua të lexonin një ese mbi Teorinë e Relativitetit të Albert Einsteinit dhe ta vlerësonin atë mbi cilësinë. Autori i esesë u prezantua me një sërë emrash: “David Clark”, “David F. Clark”, “David F.P. Clark” dhe “David F.P.R. Clark”. Nga rezultatet u pa se “David F. Clark” mbivlerësohej përpara “David Clark”, ndërsa “David F.P.R. Clark” mori komentet më të përçarta.

Shkruani thjesht
Shfaqja e fjalorit të pasur është parë prej një kohe të gjatë si një taktikë suksesi për t’u dukur i zgjuar, por “llafazanët” mund edhe të dështojnë. Një studim i vitit 2012 nga “Princeton”, i titulluar “Pasojat e gjuhës së folur prej dijetari të përdorur pavarësisht nevojës: problemet e përdorimit të fjalëve të gjata pa qenë nevoja”, gjeti se ngathtësia e shfaqur nga përdorimi i fjalëve të mëdha shpesh ndikon te njerëzit që ju dëgjojnë t’iu paragjykojnë si më pak inteligjent. Në një prej eksperimenteve të shumta, hulumtuesit zgjodhën një disertacion abstrakt sociologjik me një sërë fjalësh të gjata, ndërsa krijuan edhe një version më të “thjeshtuar”, duke zëvendësuar çdo fjalë me 9 ose më shumë gërma me fjalën më të shkurtër të mundshëm. Më pas, ata u kërkuan 35 studentëve ta lexonin këto disertacione dhe kërkuan të vlerësonin qoftë inteligjencën e autorit, ashtu dhe sa e vështirë ishte shkrimi për t’u kuptuar. Rezultatet treguan se versioni më i thjeshtë u konsiderua më pak kompleks, ndaj dhe autori i saj u pa si më inteligjent.

Përdorni grafikët
Një studim i vitit 2014 nga studiuesit e “Cornell”, Aner Tal dhe Brian Wansink, sugjeron se njerëzit kanë më shumë gjasë të besojnë një pretendim, nëse ai “duket dhe ndihet” shkencërisht, siç është një lajm i shoqëruar nga një grafik. Në një eksperiment të këtij studimi, dy grupe prej 30 pjesëmarrësish secili lexuan informaconin mbi një medikament të ri të krijuar për të luftuar sëmundjen e ftohjes së zakonshme. Njëri grup pa një grafik me kolona që ilustronte gjetjet e eksperimentit, ndërsa një tjetër jo. Rezultatet treguan se 68% e grupit që nuk e panë grafikun menduan se medikamenti do ta reduktonte sëmundjen, ndërsa plot 97% e njerëzve që panë grafikun menduan se medikamenti do të bënte të njëjtën gjë. “Prestigji i shpjegimit shkencor duket se i jep më shumë fuqi edhe elementëve kaq shumë të lidhur me shkencën, si grafikët”, shkruajnë Tal dhe Wansink.

Flisni në mënyrë të qartë dhe me gjallëri
Monotonia duket si diçka e shurdhër. “Nëse dy folës thonë të njëjtat gjëra, por njëri flet pak më shpejtë dhe me zë të lartë, me më pak pushime dhe më shumë ndryshime të volumit të zërit, atëherë folësi do të gjykohet si më energjik, më i ditur dhe më inteligjent”, shkruan Leonard Mlodinow, autor i “Subkoshienca: Si konshienca juaj rregullon sjelljen tuaj”. “Fjalimet më të gjalla, me ndryshime volumi dhe pushime më pak të ndjeshme, e rrisin besueshmërinë dhe shtojnë përshtypjen e inteligjencës së folësit”.

Shihini njerëzit në sy
Një studim i vitit 2007, i kryer nga profesoresha Nora A. Murphy i Universitetit “Loyola Marymount”, zbuloi se nëse e shihni bashkëbiseduesin në sy mund të rezultojë të perceptoheni si më të zgjuar. Në një eksperiment, 182 studentë u ndanë në çifte. Njëri prej partnerëve në çift u udhëzua të përpiqeshe të dukej më e zgjuar dhe kompetente, ndërsa tjetrit nuk iu dha një udhëzim i tillë. Studiuesit i filmuan bisedimet e çifteve gjatë një debati të paracaktuar prej 5 minutash. Secili partner bëri edhe vlerësimin e bashkëbiseduesit të tij mbi inteligjencën e perceptuar. Kur një panel analistësh morën regjistrimet, ata zbuluan se studentët që iu ishte thënë të dukeshin më të zgjuar kishin një sërë sjelljesh “të imponuara”, mes të cilave, ajo që ra më shumë në sy ishte të shihnin partnerin në sy teksa fliste. “Shikimi i bashkëbiseduesit ishte një sjellje kyçe, – shkruan Murphy. – Kjo është thelbësisht e lidhur me koefiçentin e inteligjencës (IQ), u manipulua me sukses nga objektivat e atyre që udhëzuan, si dhe kontribuuan në një perceptim më të lartë inteligjence”.

Të visheni me zgjuarsi
Studime të shumta kanë zbuluar se veshjet ndikojnë perceptimin e njerëzve të tjerë mbi aftësitë tona. Për shembull, asistentët e mësuesve që mbanin veshje formale u perceptuan nga studentët si më inteligjentë, por më pak interesantë, sesa kolegët e tyre të veshur rastësisht. Ndërkohë, një studim i “Northëestern” i vitit 2012 zbuloi se njerëzit që mbanin veshur xhekate të bardha, si shkencëtarët apo mjekët, renditeshin më lart në testimet që kërkonin më shumë përqëndrim. “Veshjet që mbajmë në trup kanë fuqi jo vetëm te të tjerët, – shkruajnë autorët Hajo Adam dhe Adam Galinsky, – por edhe te vetvetja jonë”.

Buzëqeshni
A doni që njerëzit t’iu konsiderojnë më të zgjuar? Mos qëndroni si të ngrysur. Në një studim të vitit 2014, hulumtues të Universitetit “Charles” në Pragë rekrutuan 160 pjesëmarrës për të parë portretet e 80 studentëve dhe t’i vlerësonin ato mbi detaje të ndryshme, përfshi inteligjencën. Sipas gjetjeve të tyre, “duket se ka një ndërlidhje mes shfaqjes së emocioneve të gëzueshme, apo të mërzitshme, me fytyrat e atyre që janë cilësuar si më shumë inteligjentë dhe më pak, respektivisht. Fytyrat e më të zgjuarve ishin të buzëqeshura, ndërsa atyre më pak inteligjentëve më të ngrysura.

Hiqni dorë nga pirsing në fytyrë
Vendosja e një “piercing” në fytyrë mund të tregojë se jeni i zotë për të bërë diçka kaq të “rrezikshme”, por kjo nuk ndikon aspak në favorizimin tuaj kur bëhet fjalë për inteligjencën tuaj. Kjo, sipas një studimi të vitit 2012 të udhëhequr nga Viren Swami, një profesor i Universitetit “Anglia Ruskin” në Britaninë e Madhe. Studiuesit patën 440 pjesëmarrës që panë fotot e një burri dhe një gruaje me sasi të ndryshme “pirsing”-ësh në fytyrë, për të cilët bënë edhe vlerësimet mbi zgjuarsinë dhe tërheqshmërinë. Rezultatet treguan se ata me “piercing” ishin më pak të vlerësuar në të dyja fushat, ndërsa ata që kishin sasira më të mëdha të tilla në fytyrë morën notat më negative.

Jini të këndshëm
Një ndjenjë humori te ju mund të tregojë një shenjtë të qartë zgjuarsie. Në një studim, një psikolog u kërkoi 3 meshkujve të tregonin një barcoletë ndaj shokëve të tyre në një lokal, ndërsa një grua ishte ulur pranë tavolinës së tyre. Këtyre meshkujve iu udhëzua t’i afroheshin gruas dhe t’i kërkonin numrin e telefonit. Pasi largoheshin, njëri prej drejtuesve të eksperimentit iu afrua gruash dhe i kërkoi asaj të vlerësonte personin e larguar për nga paraqitja dhe inteligjenca. Rezultatet treguan se djemtë që tregonin barcoleta u vlerësuan si më inteligjentë dhe tërheqës. Për më shumë, ata kishin tri herë më shumë mundësi për të siguruar numrin e femrës, sesa personat që dëgjonin.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel