Eliminatoret e Botërorit, në prag të dy sfidave shqiptare

06/10/2016 00:00

Shqipëria dhe Kosova do të luajnë mbrëmjen e sotme në orën 20:45 minuta ndeshjet e dyta eliminatore për Botërorin Rusi 2018. Ndërsa kombëtarja e Shqipërisë do të luajë në transfertë ndaj Lihtenshtejnit, në të njëjtin orar në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, përfaqësuesja e Kosovës do të ndeshet me Kroacinë.

Shqipëria është favorite në letër ndaj Lihtenshtejnit, megjithatë trajnerit De Biasi i është ‘hapur shumë punë’ për të ndërtuar formacionin, veçanërisht në pjesën e sulmit, ku mungesa e Sadikut të dëmtuar ka bërë që italiani të mendojë të aktivizojë shkodranin Balaj. Që nga minuta e parë pritet të aktivizohet Azdren Llullaku. 28 vjeçari nga Istoku, që luan në radhët e Gaz Metan në Rumani do të luajë në të majtë më sulmit. Rikthehet në formacion edhe Odise Roshi në të djathtë, ndërsa në qendër në rreshtimin 4-2-3-1 konfirmohet Jahmir Hyka.

Për pjesën tjetër të skuadrës nuk priten ndryshime, me Berishën në portë, Agollin e Hysaj nga krahët, Mavraj e Gjimshiti në qendër të mbrojtjes dhe Abrashi me Kukelin përpara tyre në mesfushë.

Përveç 3 pikëve shumë të rëndësishme për eliminatoret, përballja me Lihtenshtejnin do të jetë edhe një test i mirë për kuqezinjtë, në vigjilje të përballjes së të dielës kundër Spanjës në Shkodër.

Ndërkohë, për Kosovën, e cila ndeshjen e saj të radhës duhet të luajë në Shkodër për shkak se asnjë stadium i saj nuk i përmbush kushtet, parashikohet një sfidë e vështirë, duke qenë se do të ndeshen ndaj Kroacisë, një prej kombëtareve më në formë për momentin edhe pse në këtë takim do të bëjë pa disa nga lojtarët e saj të më të rëndësishëm.

Megjithatë, pas barazimit me Finlandën në ndeshjen e parë të këtyre kualifikueseve, skuadra e Albert Bunjakut do të kërkojë që të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

Top Channel