OKB, Këshilli i Sigurimit nominon unanimisht Guterresin për postin e Sekretarit të Përgjithshëm

06/10/2016 00:00

Ashtu siç edhe u bë e ditur një ditë më parë, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka nominuar unanimisht ish-kryeministrin portugez, Antonio Guterres, për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, një detyrë që do ta marrë më 1 janar të 2017-s për plot 5 vite.

Nominimi zyrtar është hapi i parë që i rekomnadon Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh të votojnë atë si pasues të Sekretarit aktual të Përgjithshëm, Ban Ki-moon.

Asambleja e Përgjithshme pritet të mblidhet javën e ardhshme për të miratuar emërimin e 67-vjeçarit Guterres. Ban Ki-moon, 72-vjeçari nga Koreja e Jugut do të japë dorëheqjen në fund të këtij viti, teksa ka shërbyer për dy mandate në këtë post.

Guterres ka qenë kryeministër i Portugalisë nga viti 1995 deri në vitin 2002, ndërsa ka pasur edhe rolin e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, nga viti 2005 deri një vit më parë.

Gara deri ditën e djeshme konsiderohej disi e vështirë dhe shihte si pretendent edhe serbin Vuk Jeremiç, por ky u braktis edhe nga aleatja më e madhe e Serbisë, Rusia, ambasadori i së cilës në OKB, Vitaly Churkin dha të mërkurën mbështetjen e hapur ndaj portugezit.

Top Channel