Helmimi i nxënësve, Berisha: Ishte hashash; Mësuesit: Era e detergjentëve

06/10/2016 00:00

Nxënëset e shkollës 9-vjeçare në Paskuqan nuk u ndienë mirë, duke shfaqur shenja dobësie dhe të vjella në klasë, ndërsa nga të dhënat paraprake mësohet se gjendja e tyre ka ardhur si pasojë e aromës së një kimikati të përdorur për pastrim.

Fillimisht u dyshua se problemet e nxënësve mund të kishin ardhur si pasojë e përdorimit të kanabisit, dhe debati së pari u bë në Parlament.

“Përshëndetje zoti Berisha. Jam një prind i një vajze që studion në shkollën 9-vjeçare ‘Jashar Hoxha’ në Paskuqan dhe sot ka ndodhur një ngjarje, që policia po kërkon ta fshehë si ngjarje e rrezikshme në shkollë. Disa njerëz kanë djegur hashash”, u shpreh nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha.

“Shërbimi i Toksikologjisë në QSUT dhe Urgjenca Pediatrike konfirmojnë që nuk ka asnjë lloj helmimi nga asnjë lloj gjëje, e nuk ka as klinikë shenjash që mund të ketë diçka që të ketë ardhur nga një tym i djegies së një shkurreje, qoftë kjo edhe bimë me një emër të caktuar apo tjetër”, u kundërpërgjigj ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Por njoftimi i Berishës mohohet nga drejtoresha e shkollës.

“Policia e pa të arsyeshme që të futej në kontroll nëpër klasa. Pas kontrollit që u bë nuk rezultoi se kishte ndonjë problematikë, por në shkollën ‘Jashar Hoxha’, të paktën unë nuk kam dijeni që është përdorur lëndë narkotike”, tha Albana Imeraj, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha”.

Pas analizave dhe marrjes së ndihmës së nevojshme, nxënëset janë dërguar në banesa. Shkolla “Jashar Hoxha”, sipas stafit pedagogjik është në gjendje të amortizuar, si pasojë e mosinvestimeve për mirëmbajtjen e saj nga ana e Bashkisë së Kamzës.

Top Channel