Kosovë-Kroaci, tifozët kosovarë mësyjnë Shkodrën

06/10/2016 00:00

Në Shkodër sot luan Kosova kundër Kroacisë. Për të ndjekur këtë ndeshje të ekipit të Kosovës me mijëra tifozë nga qytete të ndryshme të Kosovës janë duke udhëtuar nëpërmjet Rrugës së Kombit për në Shkodër.

Gazetari i Top Channel, Endi Tufa, qëndroi në pikën kufitare të Morinës dhe takoi disa nga tifozët të cilët shpresojnë në një rezultat pozitiv. Ata ishin pajisur edhe me simbole kombëtare, pavarësisht zërave se ato nuk do të lejohen në stadiumin “Loro Boriçi”.

“Do të ketë flamur kuqezi, do të ketë çdo simbol tjetër kombëtar. Jemi krenare që jemi shqiptarë”, tha një tifoz.

“Në autobus kemi flamuj kuqezi, por disa na i mori policia, nuk e dimë pse. Por ne kemi edhe fanella kuqezi me shqiponjë”, thotë një tjetër.

“Sot jam me blu, të dielën do të jem kuqezi. Shpresoj të fitojmë sot. Kosova 2-2, ndërsa Shqipëria 5-0”, thotë një tifoz që kishte ardhur nga Zyrihu.

“Flamurin shqiptar e kemi në Shkodër. Ne e kemi zemrën shqiptare”, thotë një tjetër tifoz kur u pyet nëse kishte flamurin kombëtar me vete.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel