Investimet turistike, jo më ndryshim i destinacionit të pronës publike

06/10/2016 00:00

Investitorët turistikë që do të marrin në përdorim pasuritë pubilke do të jenë të detyruar të mos ndryshojnë destinacionin e pasurisë. Qeveria ka përcaktuar formatin e ri të marrëveshjeve që do të lidhen me investitorët turistikë që do të marrin në përdorim trojet publike.

Marrëveshja detyron investitorin të mos ndryshojë në asnjë lloj rrethane destinacionin e pasurisë e cila i është dhënë në përdorim. E njëjta gjë do të ndodhë me llojin e aktivitetit që do të zhvillohet, i cili s’lejohet të ndryshojë nga projekti i paraqitur.

Investitorët duhet t’i përmbahen planeve regulluese, ndërkohë që në të gjitha fazat e zbatimit të kontratës, që nga ndërtimi deri në operim, autoriteti shtetëror që jep lejen duhet të bëjë mbikëqyrjen e punimeve dhe nëse vëren zvarritje mund të rimarrë pronën e dhënë për investim.

Ky vendim vjen në një kohë kur një pjesë e madhe e lejeve për fshatra turistikë të dhëna ndër vite në Shqipëri kanë ndërruar destinacion.

Pjesa më e madhe prej tyre janë kthyer në zona banimi, ndërkohë që pothuajse të gjitha kontratat janë shkelur nga ana ndërtimore duke mos respektuar kriteret ekonomike dhe mjedisore.

Top Channel