Divorci me Brukselin, Merkel paralajmëron Britaninë

06/10/2016 00:00

Britania e Madhe nuk do të mund të ketë akses ndaj tregut të monedhës së përbashkët, nëse do të refuzojë të pranojë lëvizjen e lirë të qytetare. Paralajmërimi erdhi nga kancelarja Angela Merkel gjatë një takimi të liderëve industrialë dhe ligjvënësve në Berlin.

Merkel e cilësoi votimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’u shkëputur nga Unioni si një moment ndryshimi historik për Bashkimin Europian dhe e bëri të qartë se negociatat për procesin e divorcit nuk do të jenë të lehta.

“Nuk do të jenë negociata të lehta. Ne shqetësohemi kryesisht për një pikë: se sektori i industrisë do të vlerësohet ndryshe. Ne jemi gati politikisht për të kushtëzuar aksesin ndaj tregut të përbashkët me respektimin e lirive themelore të lëvizjes”, deklaroi Merkel.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, i cili theksoi se ishte shumë e rëndësishme të sqarohej se aksesi i plotë ndaj tregut të përbashkët të bllokut lidhej domosdoshmërisht me pranimin e lirisë së lëvizjeve.

Gjithsesi ai shtoi, se kjo nuk do t’i pengonte ata t’i mbanin britanikët sa më pranë Europës.

Top Channel