Konflikti sirian, vriten 30 rebelë në kufirin turk

06/10/2016 00:00

Rreth 30  persona, shumica e të cilëve rebelë, u vranë në një shpërthim të ndodhur pranë kufirit të Sirisë me Turqinë. Sulmi që shkaktoi gjtihashtu dhjetëra të plagosur, siç bëjnë të ditur aktivistët, ndodhi në momentin kur po ndërroheshin rojet në pikëkalimin kufitar të kontrolluar nga rebelët të Atmehut, në provincën e Idlibit.

Ende nuk është konfirmuar nëse shpërthimi u shkaktua nga një atentator vetëvrasës apo një pajisje e kontrolluar nga larg. Një agjenci lajmesh e lidhur me të ashtuquajturin Shteti Islamik pohoi se një autobombë kishte shënjestruar një autokolonë të rebelëve. Por, sipas një rrjeti aktivistësh opozitarë bëhej fjalë për një valixhe të mbushur me eksplozivë, e cila ishte fshehur në zonë.

Fotografi e pamje nga vendi i ngjarjes treguan trupat e gjakosur të më shumë se 20 burrave, disa prej të cilëve me pantallona kamuflazhi. Zv/kryeministri turk e quajti sulmin një krim kundër njerëzimit.

Në mesin e muajit gusht, 32 rebelë u vranë në një sulm kamikaz të marrë përsipër nga ISIS-i në pikëkalimin e Atmehut që e përdorin për të udhëtuar nga Idlibi për në Sirinë verilindore, ku luftojnë grupet xhihadiste.

Top Channel