Xhafaj: Pr.ligji, ndryshim rrënjësor trajtimit financiar të drejtësisë

06/10/2016 00:00

Kryetari i komisionit të posaçëm, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se reforma në drejtësi do ta arrijë suksesin për të përmbysur atë pjesë të korruptuar të këtij sistemi.

“Sot drejtësia është një sistem i kapur, pa asnjë besim nga qytetarët. Kur grupi parlamentar filloi punën krijoi bindjen se reforma do të sillte përmbysjen e këtij sistemi. Jemi të gjithë dëshmitarë se procesi që solli ndryshimet kushtetuese të këtij viti nuk ka qenë një proces i lehtë politik, por ai është ndërtuar përmes zbatimit të parimeve të gjithëpërfshirjes, transparencës dhe konsultimit me të gjithë aktorët”, ka thënë Xhafaj.

Sipas tij, “suksesi i këtij procesi lidhet me presionin e madh publik për ta ndryshuar sistemin e drejtësisë në këtë vend”.

“Rol të rëndësishëm në këtë proces kanë luajtur edhe partnerët ndërkombëtarë e kontribues të tjerë, që i dhanë një dimension më të arrirë këtij procesi”, ka deklaruar Xhafaj.

Një pikë e veçantë ku e ka vënë theksin kryetari i komisionit ka qenë trajtimi financiar që pr/ligji i ri parashikon për gjyqtarët dhe prokurorët.

“Pr.ligji në fjalë ndryshon tërësisht dhe rrënjësisht sistemin e trajtimit financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë. Kjo do të jetë rritja më e madhe e pagave në këta 25 vjet për gjyqtarë e prokurorë, duke i bërë të krahasueshme me vendet e rajonit”, ka nënvizuar Xhafaj.

Ai ka bërë me dije se, “pagat dhe përfitimet e tjera financiare do t’i sigurojnë gjyqtarit, prokurorit por dhe familjeve të tyre plotësimin në nivelin më të lartë të të gjitha kushteve të jetesës, garanci për qetësi dhe shërbim, përfshirë këtu trajtimin pas lënies së detyrës”.

“Paga mujore bruto për gjyqtarin dhe prokurorin e shkallës së parë me këtë pr.ligj do të jetë 226 mijë e 300 lekë, dy herë më shumë sesa paga e sotme, pa përfshirë shtesat mbi pagë për shkak të vjetërsisë dhe një sërë përfitimesh të tjera”, ka saktësuar Xhafaj.

Mes të tjerash gjatë fjalës së tij, Xhafaj është shprehur se, ligji i vetting-ut tregon “pa asnjë ekuivok” se qeveria dëshiron ndryshimin e sistemit të drejtësisë.

Ai ka nënvizuar se, “shumë gjyqtarë e prokurorë nuk meritojnë të jenë pjesë e këtij sistemi sepse janë kthyer në taksidarë dhe flirtues me politikën dhe krimin”.

“Hapi i parë i kësaj reforme është largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, si dhe i atyre të paaftë e pa integritet, si kusht për të kthyer besimin tek shoqëria”, ka shtuar Xhafaj.

Top Channel