Berisha: Vetting-u, nga “kunetërit e shokut Xhemal”

06/10/2016 00:00

Ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën në seancën plenare, i është përgjigjur deklaratave ironike të kryeministrit aktual.

“I drejtohem Edvin Kristaq Ramës me fjalët “kazan”, zoti kazan. Apo “legen”, zoti legen. Një kryeministër që bën zëdhënësin e një ambasadori nuk mund të jetë gjë tjetër veçse ashtu. Unë do t’i drejtohem sot Ramës si shoku Xhemal. Këtë zotëri duhet ta quajmë shoku Xhemal dhe shokut Xhemile”, ka thënë Berisha.

Ndonëse nuk e ka saktësuar referimin e tij, ish-kryeministri ka thënë se këta persona janë ata që do të bëjnë procesin e vetting-ut për prokurorët dhe gjyqtarët.

“Kunati i shokut Xhemile ishte një nga ekspertët kryesorë të reformës në drejtësi. Kurse kunati i shokut Xhemal ishte i përgatitur për të gjitha postet. Prandaj kryexhemali iku nga seanca. Mos përdorni as “kazan” e as “legen”, i thoni “kryexhemal””, ka thënë Berisha.

Duke përmendur lidhjet, sipas tij, të qeverisë me “drogën dhe përdhunimet”, Berisha ka theksuar se, “vetting-u i Edi Ramës është vetëm nepotizëm dhe lidhje me krimin”.

“Kur për vetting-un në Strazburg zgjodhi kunetërit e tij, kë mendoni ju se do të vendosë këtu?”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, “reformën e pengojnë sot sarajet e Surrelit”, “sepse ka frikë dhe tmerr se nuk justifikon dot vilën që ka, për të cilën thotë se e ka blerë me 1 euro metri katror”, ka vijuar ish-kryetari i PD.

Më tej ai e ka akuzuar kreun e qeverisë se mashtron dhe tallet me qytetarët kur flet për ulje taksash, rritje ekonomike, apo se paguajnë më lirë çmimin e energjisë.

Top Channel