Kuvend, Halimi: Vetting-u nuk mund të bëhet nga qeveria

06/10/2016 00:00

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punimet këtë të enjte me debatet për ligjin e vetting-ut, i kundërshtuar nga opozita. Deputeti demokrat Eduard Halimi ka shpjeguar qëndrimin e PD.

“Kemi qenë që në fillim për vetting-un, por vetting-un nuk mund ta bëjë qeveria. Si ka mundësi që ta bëjë drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave? E kemi çuar në Gjykatën Kushtetuese, pse? Për të parë a është standard europian që sekretari i partisë të bëjë kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Opozita kaq mund të bëjë. Paketa ka vetëm 1 parim: respektimin e standardeve kushtetuese dhe moskapjen nga qeveria”, ka thënë Halimi.

Më herët gjatë fjalës së tij, ai foli edhe për ligjin e mbetjeve, duke kërkuar që kjo “çështje madhore” të vendoset nga sovrani. “Çështja është e një rëndësie të madhe dhe jetike për njerëzit. Qytetarët duhet të shohin sot nëse kjo ngrehinë është simbol i demokracisë. Ne depozituam kërkesën për referendum, por Konferenca e Kryetarëve nuk arriti të merrte një vendim”, tha Halimi.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se, “gënjeu kur tha se s’kishte dijeni për ligjin sepse atë e sollën disa deputetë”. Gjithashtu, vijoi Halimi, Rama mashtroi kur tha se s’bëri sa duhet për të informuar qytetarët.

Top Channel