“Fiks Fare”: Si të diplomohesh pa asnjë ditë shkollë

05/10/2016 00:00

Emisioni “Fiks Fare” transmetoi mbrëmjen e së mërkurës ndodhinë e pazakontë në shkollën e mesme profesionale në Poliçan. Në këtë shkollë janë dy degë, Mekanika dhe Elektro-teknika.

Sistemi i mësimdhënies është sistem dite dhe part-time. Investigimi nisi në muajin qershor, pra në fund të vitit akademik 2015-2016. Nga biseda e gazetarëve me drejtorin në muajin qershor rezultoi se në këtë shkollë mungon gjëja kryesore: nxënësit!

Mësuesja e anglishtes, e cila ndodhej në sallën e mësuesve, përballë drejtorit tha se nuk ka zhvilluar asnjë orë mësim, se nuk ka bërë asnjëherë një provim me nxënësit dhe se nuk ka vendosur mungesa të pajustifikuara. Mësuesja u tregoi gazetarëve se kështu bëjnë të gjithë mësuesit, madje kështu kanë bërë gjithmonë.

Ndërkohë, drejtori i shkollës, Altin Lulaj tha se ka qenë mësues në një shkollë tjetër dhe se nuk e dinte se situata ishte e tillë. “Nëse do ta kisha ditur këtë situatë, nuk do të kisha ardhur fare në këtë shkollë”, tha Lulaj, ndërsa shtoi se kishte kërkuar të largohej.

Pyetjes së gazetares “drejtor, a e merr rrogën?”, ai iu përgjigj: “E marr rrogën dhe për këtë më vjen turp”.

Në pjesën tjetër të emisionit u trasmetuan xhirimet që u bënë në muajin shtator në këtë shkollë. Sërish mësuesit rrinë në sallën e tyre pa nxënës. Ata nuk pranojnë t’u përgjigjen pyetjeve të gazetares se çfarë lënde japin në shkollë. Gjithashtu, ata nuk e dinë se kur kanë mësim.

I njëjti drejtor, Altin Lulaj tha për gazetarët në shtator se vitin e shkuar akademik ishin diplomuar 25 nxënës dhe se këtë vit janë regjistruar 36 të tjerë, në vit të parë. Sipas tij, nxënësit nuk janë për momentin në shkollë, sepse kanë patur praktikë.

Gazetarja kërkoi që drejtori t’i japë orarin që kanë pasur vetëm praktikë, por as këtë nuk e kishte. Për të kuptuar nëse vërtet nxënësit kanë zhvilluar praktikë, ata pyetën mësuesin. Ky i fundit tha se ishte në mësim, por kur iu kërkua një regjistër apo fletore me emrat e nxënësve tha se e kishte lënë në ofiçinë.

Gazetarët i kërkuan të shkonin ta merrnin bashkë, por ai tentoi të ikte. Gazetarët e kthyen dy herë, por ai përfundimisht iku pa iu treguar regjistrin.

Top Channel