Dështimi i Hamilton, hetimet pa rezultat

05/10/2016 00:00

Skuadra e Mercedes duhet ende të gjejë një shpjegim logjik për problemet që vuajti një prej makinave të saj në garën për Çmimin e Madh të Malajzisë në Formula 1.

Dështimi i njëvendëshes gjermane për t’iu përgjigjur ambicieve të Lewis Hamilton në një pikë kulmore të sezonit, bashkuar me zërat për konspiracione po e pështjellojnë situatën te kampionët e botës.

Britaniku nuk mundi të përfundonte garën e Sepang pasi motori e la në baltë, pikërisht kur u duk se një fitore komode do t’i jepte një hendek më të madh në kryesim.

Tërheqja në Malajzi bën që Lewiss Hamilton tani të ndjekë gjermanin Rosberg me 23 pikë më pak, kur duhen edhe 5 ndalesa deri në fundin e sezonit.

“Malajzia ishte një pilulë shumë e hidhur për t’u kapërdirë pasi e zhgënjyem Lewis Hamilton në një mënyrë vërtet të keqe. Ne ende po hetojmë se çfarë ndodhi me motorin e Mercedes dhe po kuptojmë se si nuk mundi të përfundojë garën e kështu të nxjerrim dhe rezultate për të ardhmen. Pavarësisht incidentit të fundit, aktualisht Lewis ka të njëjtin numër motorësh si Rosberg për 5 garat e mbetura dhe nuk do të ketë impakt në programin e tij”, tha shefi teknik i Mercedes, Paddy Lowe.
 
Gara e ardhshme e Formula 1 do të zhvillohet më 9 tetor në pistën e Suzukas në Japoni.

Top Channel