Spanjë, nis super gjyqi për korrupsion ndaj partisë në pushtet

05/10/2016 00:00

Një nga gjyqet më të mëdha për korrupsion në historinë e Spanjës ka nisur këtë javë në Madrid, në fokus të të cilit janë 37 anëtarë të Partisë së Popullit, të akuzuar për përfshirje në një skemë të madhe rryshfetesh.

Politikanët akuzohen se kanë devijuar tendera në favor të kompanive të afërta me ta dhe se kanë futur në xhepat e tyre një pjesë të fondeve.

Skandali, i njohur si rasti “Grütel”, ka marrë emrin në bazë të dyshuarit kryesor, biznesmenit Francisco Correa, që dyshohet se ka vepruar si ndërmjetës mes kompanive dhe zyrtarëve të Partisë së Popullit.

Correa do të thotë “rrip” në spanjisht dhe “grütel” të njëjtën gjë në gjermanisht. Correa ka pranuar përfshirjen e tij dhe të sekretarit të thesarit të partisë, Luis Barcenas, në skemën korruptive të realizuar në periudhën 1999-2005.

Asokohe, Barcenas mundësoi që ministrat e Partisë së Popullit të jepnin tendera për kompanitë, si përfaqësues i të cilave shërbeu Correa. Ky i fundit e ka pranuar këtë në rrëfimin me shkrim që ka bërë për autoritetet në vitin 2015.

Barcenas merrte 2 deri në 3 për qind të fondit për çdo marrëveshje, ndërsa vetë Correa nga 10 deri në 30 për qind.

Të 37 të pandehurit përballen me një sërë akuzash që variojnë nga rryshfeti e përvetësimi deri tek pastrimi i parave. Vetëm Correa rrezikon të përballet me 125 vjet burg nëse shpallet fajtor.

Top Channel