Afron Lihtenshtejni, De Biasi: Do të firmosja për 1-0

05/10/2016 00:00

Do të luhet në Lihtenshtejn por për shkak të interesimit të madh të tifozëve, stadiumi modest i përfaqësueses rivale në Botërorin 2018, do t’i ngjajë një impianti shqiptar.

Trajneri Gianni de Biasi vendosi theksin tek eliminimi i rrezikut para portës shqiptare, duke tentuar më pas të maksimizojnë shanset në kuadratin e Lihtenshtajnit. 

“Çdo skuadër ka mundësi të krijojë rreziqe. Ne kemi punuar për të limituar në maksimum rrezikun përballë portës tonë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë gjatë ndeshjes. Duhet të kërkojmë të jemi më të zotët se kundërshtari dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse ndeshjet nuk fitohen pa nisur ende. Skuadra arrin të fitojë kur është e përqendruar dhe kur luan shpejt. Kur jemi në këto parametra atëherë mund të vëmë në vështirësi çdo kundërshtar”, De Biasi.

Peshë të madhe do të ketë mungesa e Sadikut, por lojtarët e tjerë do të kompensojnë atë që pritej nga “bomberi” i kuqezinjve.

“Sadiku ishte në formë shumë të mirë. Ka shënuar në Europa League dhe me Maqedoninë. Ishte i rëndësishëm dhe më vjen keq për të. Shpresoj të rikuperohet sa më shpejt por do të bëjmë gjithçka për të mos e ndier mungesën e tij”, vijoi tekniku italian.

Pavarësisht kuriozitetit të gazetarëve të pranishëm në konferencën e shtypit, De Biasi nuk dha pika referimi përsa i përket formacionit që do të hedhë në fushën e lojës.

“Do të kërkojmë të hedhim në fushë skuadrën e duhur për të vendosur në vështirësi kundërshtarët. Shpresoj që lojtarët të jenë në 100 % të formës dhe të luajnë një ndeshje me nivel. Do të bëj disa ndryshime sepse do të luajmë dy ndeshje të rëndësishme dhe më duhet të vlerësoj çdo detaj. Besoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të menaxhuar forcat”, u shpreh De Biasi.

I pyetur në fund nëse do të firmoste për një fitore minimale ndaj Lihtenshtajnit, ai përgjigjet qartësisht: “Menjëherë!”.
Shqipëria ndodhet në Grupin G të kualifikueseve me 3 pikë pas një ndeshjeje. Përveç rivalit të së enjtes, në grup janë gjithashtu Spanja, Italia, Maqedonia dhe Izraeli.

Top Channel