Panairi i mbetjeve, TCH takon industrinë me ambientalistët

05/10/2016 00:00

Protestave të ambientalistëve, industria e riciklimit iu kundërpërgjigj me një panair ku u ekspozuan lëndët e riciklueshme dhe produktet e përftuara prej tyre, me qëllim informimin qytetar mbi veprimtarinë e kësaj industrie.

Por Top Channel çoi në panair një nga zërat kundërshtarë të importit të mbetjeve, ambientalistin Lavdosh Feruni. Përballja, siç edhe pritej, nuk ishte nga më miqësoret.

“Skorjet e mia, thua ti, i hidhkam unë me një vend. A ke ardhur ti ndonjëherë tek fabrika ime?”, u shpreh me tone protestuese një biznesmen.

Panairi i industrisë së mbetjeve duket se nuk i impresionon ambientalistët. “Gjatë procesit të shkrirjes së aluminit prodhohen skorie, por edhe emisione”, tha Feruni.

“Shkoni shikojeni, kompanitë e aluminit kanë filtrat më të fundit”, replikoi Bardhyl Balza, nga Shoqata e Ricikluesve.

“Nuk ka asnjë interes vendi ynë që të importojë mbetje, të përpunohen dhe gjithë ndotja të mbetet këtu, kurse ti të shesësh e të fitosh”, insistoi në qëndrimin e tij ambjentalisti.

“Kështu si thonë këta i bie të mbyllim komplet ekonominë shqiptare”, vijoi Balza.

Të dyja palët ama, duket se bien dakord në një pikë, së paku në letër: të gjithë e duan vendin pa plehra. “Ne e duam Shqipërinë të pastër të gjithë. Kemi 4-5 vjet që themi ejani të bëjmë protestë për pushtetet lokale që të zbatojnë ligjet”, tha Balza.

“Ndoshta me një politikë fiskale më në favor të ricikluesve Shqipëria mund të bëhet një vend më i pastër dhe kur të mendohet për import të thotë ‘larg, se ne këtu i kemi me kosto edhe më të lirë’”, vijoi Feruni.

Palët lajmëruan aksion konkret në ditët në vijim, që ndarja e mbetjeve në burim të mos konsiderohet utopike, por të nisë gradualisht të implementohet.

Top Channel