19 vite më parë, Ervin Dervishi ishte një i ri i cili e kishte shumë për zemër uniformën e policisë, motiv që si shumë bashkëmoshatar e shtyu të niste studimet në akademinë e rendit.

Pasioni dhe dëshira për të bërë më të mirë, bëri që djaloshi të binte menjëherë në sy për rezultate shumë të larta, edhe pse periudha e studimit ishte viti i trazuar 1997.

Nuk vonoi shumë dhe emri i tij, së bashku me 15 të rinj të tjerë, u propozua për të transferuar studimet në Akademinë e Shkencave të Sigurisë në Turqi. Ajo periudhë, sipas Ervinit, ishte më e bukura profesionale në nisjen e një karriere premtuese.

Pas kthimit në Shqipëri ka kaluar në shumë sektorë dhe departamente në strukturat e policisë, ndërsa sot ai mban pozicionin e specialistit të sigurisë rrugore në Policinë e Shtetit, detyrë që e përmbush çdo ditë me shumë përkushtim.

Për miqtë dhe kolegët, Vini siç e thërrasin të gjithë, është një profesionist, familjar dhe baba i përkushtuar, duke treguar se pas uniformës qëndron një njeri që nuk ka vetëm pjesën strikte të detyrës, por figurën e policit me zemër të madhe që uniformën dhe ligjin e ka të shenjtë

Mendon se familja është pasuria më e madhe e çdo njeriu e njëkohësisht muza për ta bërë punën e përditshme me pasion.

Top Channel