Avokati i Popullit dhe OSBE: Të përmirësohet situata në burgje

05/10/2016 00:00

Avokati i Popullit dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizuan sot një tryezë për situatën e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në institucionet shtetërore, në vitin 2015.

Numri dy i misionit europian, Robert Wilton, tha se gjatë viteve të fundit, mbrojtja e të drejtave të njeriut të të burgosurve në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm, falë edhe punës së pandalshme të institucionit të Avokatit të Popullit.

Megjithatë, tha ai, mbipopullimi mbetet një shqetësim që vë në vështirësi administratën e burgjeve, kërcënon të drejtat e personave të privuar nga liria, mund të çojë në trajtim të papërshtatshëm të të burgosurve, si dhe dobëson së tepërmi mundësinë e rehabilitimit.

Ai shtoi se një tjetër shqetësim i veçantë është trajtimi i të burgosurve me probleme të shëndetit mendor. “Është shumë e rëndësishme që ata të trajtohen jashtë sistemit të burgjeve, sikurse përcaktohet nga legjislacioni vendas dhe ai ndërkombëtar”, tha Wilton.

Ai shtoi se, shpreson që përpjekjet e qeverisë për të ndërtuar një spital të ri për personat me problem të shëndetit mendor që kanë kryer krime të japin fryte së shpejti.

Nga ana e tij, Avokati i Popullit Igli Totozani u ndal gjithashtu tek këto çështje. Ai tha se, megjithë hapjen e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale në Fier dhe Berat, si dhe rikonstruksionin e institucionit “Jordan Misja”, mesatarja vjetore e mbipopullimit është 25% mbi kapacitet, një realitet që, sipas tij, duhet ndryshuar patjetër.

Top Channel