Jeremiç ‘tradhtohet’ edhe nga Rusia, Guterres në krye të OKB-së

05/10/2016 00:00

Nuk ka Jeremiç në krye të OKB-së. Ish-ministri i Jashtëm serb duket e ka të humbur garën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, pasi edhe aleatja historike e Serbisë, Rusia ka dalë hapur në mbështetje të kundërshtarit të tij, portugezit Antonio Guterres.

Guterres, ish-kryeministër i Portugalisë është deklaruar si “favorit” edhe nga ambasadori rus në OKB-së, Vitaly Churkin.

Kjo deklaratë e Rusisë e bën formal votimin e ditës së enjte në Këshillin e Sigurimit, ku nuk priten më surpriza dhe Moska nuk do të ushtrojë të drejtën e vetos për kandidaturën e tij.

Antonio Guterres, 66 vjeç, ka drejtuar agjencinë e refugjatëve në gjithë dekadën e fundit dhe në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së do të pasojë koreano-jugorin Ban Ki-moon.

66-vjeçari është cilësuar favorit që në nisje të garës dhe në votimin paraprak mori 13 vota inkurajuese në Këshillin e Sigurimit, dy vota abstenuese dhe asnjë bllokuese.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mbahet nga Bank Ki-moon që prej vitit 2007.

Top Channel