Gjatë ndalesës në fshatin Dvoran të Korçës dhe në Stropckë të Pogradecit, përveç infrastrukturës, kryeministri Rama u përqendrua tek sensibilizimi i fermerëve për të marrë pjesë me projekte për të financuar rritjen e prodhimit të tyre nga fondi 300 milionë euro.

“Me Fondin e Garancisë Kombëtare bëhet e mundur që kreditimi të hapet dhe për fshatin, madje në një masë të gjerë, sigurisht duke qënë ne të përgatitur për të pasur projektet e duhura, për të bërë aplikimet e duhura. Kur them ne, nuk kam parasysh shtetin, por kam parasysh edhe qeverinë edhe ju”, deklaroi Rama në takimin me banorët e zonës.

Një nga prioritetet kryesore të qeverisë për bujqësinë, shtoi kryeministri, është modernizimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit.

Ndërkohë, nga Berati, ku vijoi turin e takimeve, kryetari i PD, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se nuk ka bërë asgjë për fermerët dhe se paratë e destinuara për ta u janë dhënë njerëzve të tij të afërt.

“Pasi e ka telendisur, e ka lodhur, e ka varfëruar në pikën ku i ka zhytur në borxh pas borxhi, ka dalë t’iu thotë fshatarëve që me të vërtetë s’kam bërë gjë për fshatin, por tani po ju hap mundësinë që të merrni kredi. Po shteti i këtij 100 milionë euro iu dha 11 njerëzve, klientë të Edi Ramës, ndërtuesit të vilës së Surrelit, ndërtuesit të vilës së Dardhës, ndërtuesit të vilës së Durrësit dhe një grusht sadrinjsh. Për 1.5 milionë fermerë nuk paska subvencione? 92 milionë të tjera i bëri rrush e kumbulla për zyra, për kolltuqe, për perde, për makina. A për fermerët nuk paska? Për fermerët shkoni e merrni kredi”, tha Basha.

Basha ripërsëriti programin e Partisë Demokratike për bujqësinë.

“Programi ynë për bujqësinë do të përbëjë 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku një pjesë do të shpenzohet për infrastrukturën në funksion të zhvillimit rural, kanalet vaditëse, ujitëse, rrugët e aksesit, tregjet, infrastrukturën përpunuese. Dhe 100 milionë euro do të jepen subvencione kapilare për fermerët, jo për grumbulluesit, as për importuesit që janë një grusht njerëzish që hanë e pinë në mensën e kryeministrit, por për fermerët si zgjidhja jonë ku djersa e fermerit, e blegtorit, e peshktarit, e bletarit të kthehet në mirëqenie për të, të kthehet në mirëqenie për familjen e tij dhe të shtojë vendet e punës”, theksoi Basha.

Top Channel