Guvernatori Sejko: Mos rrisni pagat me borxhe. Ekonomia po rritet

05/10/2016 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mbështeti planin e qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve, por me kusht që fatura të mos financohet duke marrë borxh.

“Ne kemi theksuar se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, me qëllim rritjen e kreditimit dhe investimeve, nuk është e mjaftueshme pa ndërmarrë edhe reforma strukturore. Në këtë aspekt, ne do të shihnim rritjen e pagave dhe pensioneve si një faktor stimulues në drejtim të rritjes së konsumit”, u shpreh guvernatori Sejko.

Kreu i BSH-së tha se, qeveria duhet të vazhdojë politikën e uljes së borxhit dhe forcimit të financave publike.

“Në radhë të parë për të ruajtur balancat makroekonomike, uljen e deficitit buxhetor dhe vazhdimin e konsolidimin fiskal”, u shpreh Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia është zgjeruar edhe në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, e udhëhequr nga sektori privat.

“Ambienti i favorshëm financiar, rritja e punësimit, përmirësimi i besimit të agjencive ekonomike dhe flukset e larta të investimeve të huaja kanë ndihmuar në rritjen e konsumit dhe investimeve private”, theksoi Sejko.

Guvernatori komentoi edhe rritjen e dobët të kreditimit, që për BSH mbetet një nga risqet më të mëdha të rritjes ekonomike.

“Ngadalësimi i rritjes së kredisë është afatshkurtër. Por ky zhvillim ilustron poqëndrueshmërinë e kreditimit në vend dhe rithekson nevojën për vazhdimin e reformave strukturore, të cilat do të mundësonin reduktimin e rrezikut të kredisë dhe rritjen e kërkesës për të”, deklaroi Gent Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës e mbajti të pandryshuar normën e interesit në 1.25 për qind dhe paralajmëroi se nuk do e rrisë atë, të paktën deri në fund të vitit.

Top Channel