Ligj për fermat e peshkut, kërkohet kufizimi i zonave për të mos dëmtuar ujërat

05/10/2016 00:00

Ndikimi në mjedisin detar dhe turizmin i fermave të rritjes së peshkut, bëri që deputetët e komisionit të veprimtarive prodhuese të kërkojnë kujdes në përcaktimin e zonave të kultivimit sipas ligjit të ri të akuakulturës.

“Siç bënim me zonat detare kur jepnim leje të shfrytëzimit të naftës, ishin caktuar kush janë zonat dhe ti vetëm i hidhje në treg në një moment të caktuar. Edhe në këtë rast ne duhet t’i kemi të caktuara zonat në kaq kilometra në bregdet, ku janë vetëm 3 zona apo 5 ku mund të zhvillohet akuakultura”, u shpreh deputeti i PD, Genc Ruli.

Sipas deputetit Bare, duhet ruajtur cilësisë e ujit në Gjirin e Vlorës dhe të mos dëmtohet turizmi. Ngritja e fermave të peshkut rrit përqendrimit e azotit në det duke ndikuar në ekosistem.

“Kjo do të bëjë që këtë të akumulohen dhe të zhvillojnë shumë këto organizma, e cila sjell më pas një problematikë domino, ndër të tjera edhe atë të humbjes së transparencës të kolonës së ujit, që është aq e kërkuar për turistët në Shqipëri”, tha Besnik Bare, deputet i PS.

Edhe për profesorët e akuakulturës duhet bere kujdes me zonat mbrojtura.

“Por duhet të kemi kujdes, sidomos kur vendosen kosha notues në afërsi të zonave të mbrojtura”, tha Rigers Bakiu, profesor i akuakulturës.

Deri në miratimin e ligjit dhe përcaktimin e zonave Ministria e Bujqësisë i ka ndërprerë të gjitha licencimet për ferma peshku. Akuakultura është një industri në rritje në Shqipëri dhe rreth 40 përiqind e tregut të peshkut të rezervatit mbulohet nga prodhimi vendas.

Top Channel