Barça, drejt rinovimit me Suarezin për 16 mln euro në vit

05/10/2016 00:00

Rinovimi i kontratës me Luis Suarez është bërë prioritet i Barcelonës. Klubi katalanas dëshiron që i gjithë ky proces të përfundojë përpara periudhës së Krishtlindjes. Sulmuesi uruguajan, për të cilin kampionët e Spanjës shpenzuan 82 milionë euro, është një prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës së Luis Enriques dhe e ka fituar të drejtën e këtij rinovimi, që pritet të shoqërohet edhe me një rritje page.

Që nga momenti i mbërritjes në “Camp Nou”, Luis Suarez ka zhvilluar 104 ndeshje zyrtare me fanellën e Barcelonës duke shënuar 92 gola, një statistikë kjo që tregon edhe njëherë impaktin e menjëhershëm që ka pasur uruguajani në skuadër, duke formuar një treshe të frikshme sulmuese së bashku me Messin dhe Neymar.

Tashmë bisedimet mes drejtuesve të Barcelonës dhe agjentit të Luis Suarez për rinovimin e kontratës kanë filluar. Burime të brendshme të Barcelonës flasin për një kontratë të re, që do të skadojë në vitin 2020, nga e cila do të përfitojë 16 milionë euro në sezon, po aq sa edhe braziliani Neymar, ndërkohë që Messi mbetet i paarritshëm, pasi argjentinasi përfiton 21 milionë euro në sezon.

Por jo vetëm kaq. Në kontratën e re të Suarezit, që aktualisht përfiton 10 milionë euro në sezon, duket se është përfshirë edhe një klauzolë për zgjidhjen e saj të parakohshme. Për këtë duket se do të jetë një shifër vërtet marramendëse.

Top Channel