Kaos në UKIP-in anti-BE. Dorëhiqet pas 18 ditësh pasuesja e Farage

05/10/2016 00:00

Ndodhi shumë shpejt dhe askush nuk e priste. Diane James, e cila zëvendësoi Nigel Farage si udhëheqëse në partinë “UKIP” në Mbretërinë e Bashkuar, dha dorëheqjen pas 18 ditësh në krye të postit.

Dorëheqjen, James e bëri publike në gazetën “Times”, duke dhënë si argument kryesor faktin se nuk ka “autoritet të mjaftueshëm” e as mbështetjen e plotë të kolegëve apo zyrtarëve të partisë së saj për të vijuar atë detyrë.

Duke përmendur arsye personale dhe profesionale, Diane tani ka futur partinë në një tjetër raund kaosi dhe zgjedhjesh të reja. Analistët gjykojnë se UKIP vuan nga mungesa e udhëheqësisë, mungesa e fondeve dhe njëkohësisht e anëtarësimeve të reja.

James pasoi udhëheqjen e partisë nga kreu historik Farage, i cili dha dorëheqjen pas referendumit të Mbretërisë së Bashkuar për të lënë Bashkimin Europian. Farage, i cili ashtu si James është anëtar i zgjedhur i Parlamentit Europian, konsiderohet gjerësisht si njeriu që drejtoi fushatën pro “Brexit”-it.

Farage shprehu keqardhjen për dorëheqjen e Diane James nëpërmjet një statusi në “Twitter”.

Top Channel