Borg-Mcenroe, tjetër duel rivalësh në film

05/10/2016 00:00

Pas përjetësimit në film të duelit të ashpër mes Niki Laudas dhe James Hunt, një tjetër betejë e vërtetë sportive do të ketë historinë e saj të treguar në ekranet e kinemasë. Bëhet fjalë për rivalitetin mes dy legjendave të tenistit botëror, Bjorn Borg dhe John McEnro në vitet 70-80.

Të dy tenistët janë përballur 22 herë me njëri-tjetrin, sfida këto që kanë qenë intensive në maksimum për shkak edhe të stilit të lojës dhe temperamenteve krejtësisht të ndryshme të yjeve të këtij sporti.

Ndërsa Borg ishte një lojtar i qetë, për Mcenroe ishte krejtësisht e kundërta dhe jo më kot amerikani ishte quajtur si djali i keq i tenisit.

Filmi që titullohet “Borg/McEnroe” do të trajtojë finalen e Wimbledonit të vitit 1980, e konsideruar edhe si një nga ndeshjet më të bukura në historinë e tenisit. Do të jetë danezi Janus Metz Pedersen ai që mori përsipër realizimin e këtij filmi, ndërkohë që protagonistët e tij janë Shia LaBeouf që do të jetë në rolin e McEnroe e Sverir Gudnason që do të interpretojë Bjorn Borg.

Filmi që përveç rivalitetit mes legjendave të flet edhe për miqësinë po xhirohet në Suedi dhe premiera e tij pritet të shfaqet në vjeshtën e vitit 2017.

Top Channel