Supersfida Itali-Spanjë, Diego Costa shihet si titullar

05/10/2016 00:00

Ndërkohë që kombëtarja shqiptare do të përballet me Lihtenshtajnin, skuadra e  Spanjës do të përballet me Italinë. Trajneri Lopetegui ka filluar të mendojë për skemën që do të përdorë në përballjen me “të kaltrit”.

Në seancën e radhës stërvitore, trajneri i “La Roja”-s provoi pothuajse të njëjtin formacion që hodhi në fushë në sfidën me Belgjikën, por me ndryshimin që Iniesta u vendos në vend të Tiagos dhe Diego Costa në vend të Moratës.

Kështu, formacioni i mundshëm për këtë supersfidë mes këtyre dy skuadrave mund të jetë me De Gean në portë; Carvajal, Pique, Sergio Ramos e Jordi Alba në mbrojtje; Busquets, Koke, David Silva, Iniesta e Vitolo në mesfushë; ndërkohë që Diego Costa mendohet të jetë sulmues i vetëm.

Ideja e Lopeteguit është që skuadra e tij të sulmojë menjëherë treshen e mbrojtjes së Italisë, por edhe të mbrohet ndaj “të kaltërve” me 5 mesfushorë. Trajneri i “La Roja”-s kërkon një presing të lartë nga lojtarët e tij në fushën e lojës, gjë që do të kërkojë një shpenzim energjish për Diego Costën. Po kështu, Lopetegui kërkon edhe një lojë të shpejtë në krahë, si dhe një lojë të drejtpërdrejtë të Busquets e Koke, kur mesfushorët italianë të bëjnë presing mbi David Silvën e Iniestën, me këta të fundit që do të kërkojnë që të krijojnë hapësira në krahë.

Diego Costa do të jetë titullar, por pritet që gjatë ndeshjes të zëvendësohet nga Morata, me këtë të fundit që do të jetë titullar në sfidën e së dielës ndaj kombëtares shqiptare, sfidë në të cilën Lopetegui pritet të bëjë rotacione në të gjitha repartet.

Përfaqësuesja spanjolle punoi edhe me goditjet standarde, një specialitet ky i skuadrës italiane. Vitolo e Diego Costa do të marrin pozicionet mbrojtëse në krahë, në momenin e rivënieve anësore të Italisë. Në të njëjtën kohë, sulmuesi i Chelseat do të ketë detyrën që të ushtrojë presion mbi qendërmbrojtësit italianë, ndërkohë që Sergio Ramos e Pique do të marrin pjesë në sulmet e skuadrës nga vijat anësore apo goditjet e këndit.

Top Channel