Të sëmurët mendorë që kryejnë krime, Totozani: Mungon Institucioni i Posaçëm Mjekësor

05/10/2016 00:00

Mungesa e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor vazhdon të jetë një problem për drejtësinë shqiptare, pasi të sëmurët mendorë që kryejnë krime nuk marrin trajtimin e duhur.

Avokati i Popullit Igli Totozani ka prezantuar në një tryezë të rrumbullakët draft- Raportin e Veçantë të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës 2015, para dorëzimit në Kuvendin e Shqipërisë.

“Mbetet akoma një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe e ligjit për shëndetin mendor trajtimi i personave për të cilët nga gjykatat është vendosur masa “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” në Institucione penitenciare e Spitale Psikiatrike. Ligji për shëndetin mendor e ka parashikuar qartë në nenin 28 të tij, ngritjen e Institucionit të Posaçëm Mjekësor për të cilin pati edhe një Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Shëndetësisë në 2014, por që nuk u zbatua asnjëherë. Këta persona për të cilët shërbimi primar që i duhet ofruar është ai mjekësor i specializuar mbahen në institucione penitenciare, ku kushtet infrastrukturore, mungesat në burime njerëzore me staf të specializuar (mjekë psikiatër, ndihmës mjekë dhe kujdestar) e bëjnë këtë trajtim johuman dhe degradues”, u shpreh z. Totozani.

Mbipopullimi në burgje dhe në paraburgime vazhdon të mbetet një shqetësim sipas Avokatit të Popullit, ndërsa shumë IEVP kanë nevojë për ristrukturim.

“Ajo që vihet re dhe është e pranuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është fakti i mbipopullimit nëpër institucionet e paraburgimit dhe ato të ekzekutimit të vendimeve penale”, bëri të ditur Avokati.

Top Channel