Kosova luan në Shkodër, në Prishtinë nis rikonstruksioni i stadiumit

05/10/2016 00:00

Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës do të presë më 6 tetor skuadrën përfaqësuese të Kosovës, e cila do të përballet me Kroacinë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të vitit 2018.

Pas barazimit me Finlandën në ndeshjen e parë të këtyre kualifikueseve, skuadra e Albert Bunjakut do të kërkojë që të marrë një tjetër rezultat pozitiv. Ndërsa futbollistët po përgatiten për këtë përballje, në Prishtinë kanë nisur punimet për rikonstruksionin e stadiumit, arsyeja që detyrojnë Kosovën të luajë ndeshjen e saj në Shkodër.

“Stadiumi i Prishtinës është ndërtuar në vitin 1953 dhe që atëherë nuk është bërë asnjë investim i vërtetë, që infrastruktura të jetë në standardet më të larta për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Kjo është edhe arsyeja, që përfaqësuesja e Kosovës do ta luajë sfidën e saj me Kroacinë në Shqipëri. Tani po punohet në këtë impiant, për të cilin pritet të arrihen standardet bazë për të mundësuar zhvillimin e sfidave të kombëtares”, tha Driton Latifi, gazetar sportiv.

Megjithatë, fakti që Kosova do të luajë ndeshjen e saj në Shkodër nuk i pengon tifozët e këtij vendi, që të shfaqin gatishmërine për të pëshkuar rreth 150 km rrugë, për të ndjekur përballjen me kroatët. Sipas tyre, kjo është një ngjarje historike për futbollin kosovar dhe të gjithë duan të shkojnë e ta ndjekin atë, duke qenë se është hera e parë që Kosova është skuadra pritëse e një sfide si ajo me Kroacinë.

Top Channel