PD ankimon në Gjykatën Kushtetuese ligjin për “Vetting”-un

05/10/2016 12:10

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për ligjin e “Vetting”-ut, veprim ky që opozita e bëri pavarësisht thirrjes së Shteteve të Bashkuara për të mos e ankimuar ligjin. Për Oerd Bylykbashin, ky ligj i kaluar nga Edi Rama shkel konsesusin e 22 korrikut dhe shkel hapur kushtetutën.

“Me ligjin që kaloi me 30 gusht, duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama kërkon që kontrollin e gjyqtarëve, “Vetting”-un, ta bëjnë zyrtarët e lartë të PS, ta bëjë Alket Hyseni, i cili është garanti i Kushtetutës së PS dhe e dinë shumë mirë se çfarë ndodh atje. Edi Rama do që “Vetting”-un ta bëjë Arben Seferi, zyrtar tjetër i PS-së, pra me levat dhe instrumentet e tij, të kontrollojë gjyqtarët të vendosë kush gjyqtar dhe prokuror të iki dhe më pas të caktojë ai gjyqtarët dhe prokurorët që do të hetojnë këtë kryeministër të korruptuar, për korrupsion. Kjo është jo vetëm shkelje e Kushtetutës, ky është një krim kushtetues, është 100 % në kundërshtim me standardet që ka përcaktuar Komisioni i Venecias”, shprehet Bylykbashi.

Krahas deklarimit të ligjit të “Vetting”-ut si antikushtetues, PD kërkon nga Gjykata Kushtetuese të vendosë pezullimin e zbatimit të ligjit ndërsa kërkohet një opionon edhe nga Komisioni I Venecias. Për opozitën, ligji i Vlerësimit bie ndesh me Kushtetutën në disa aspekte  dhe se organet e reja të vlerësimit vihen nën mbikëqyrjen e kontrollin e qeverisë pasi telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë, siç është Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Top Channel