100 ditët e Dutertes në pushtet, vijon kasaphana

05/10/2016 00:00

Plot 3.400 të vrarë dhe të paktën 20 mijë të arrestuar. Me këtë bilanc, presidenti famëkeq i Filipineve Rodrigo Duterte shënon 100 ditët në pushtet.

Njeriu që po pushton faqet e para të mediave botërore për fushatën e egër kundër drogës, e gjithashtu komenteve aspak diplomatike kundër udhëheqësve të huaj, kryesisht Barack Obamës, mori frerët e vendit në qershor me premtimin se do të shfaroste krimin dhe korrupsionin brenda 6 mujave.

Fjalës së dhënë po i qëndron besnik, duke angazhuar policinë dhe gjithashtu skuadrat sekrete të vdekjes për eliminimin fizik të atyre që kundërshtojnë arrestimin, trupat e të cilëve ekspozohen jo rrallë për publikun.

Duke e krahasuar veten me Hitlerin, që sipas tij kishte masakruar 3 milionë hebrenj, deklaroi se do të ishte i lumtur të bënte të njëjtën gjë me përdoruesit e trafikantët e drogës. Përballë protestave ndërkombëtare, Duterte kërkoi falje vetëm për numrin e viktimave të Holokaustit, që në të vërtetë ishte 6 milionë. Por edhe pse jashtë vendit politikat e tij po shkaktojnë alarm, brenda kufijve, të shumtë janë ata që e mbështesin plotësisht.

“Tani ndihem e sigurtë kur shkoj në shtepi dhe nuk kam më frikë të eci e vetme nëpër rrugë”, tha një qytetare.

E megjithatë ka edhe nga ata që e kundërshtojnë fushatën e Dutertes.

“Po sikur të vritet ndonjë person gabimisht, i cili ka 5 fëmijë për të ushqyer dhe për të shkolluar, e gjithashtu një grua të sëmurë? Do t’i vrisni, pastaj do të shkoni për t’i ndihmuar? Kjo është çmenduri”, tha një qytetar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kritikojnë ashpër Duterten, për ato që i quajnë shkelje të të drejtave të njeriut. Vet presidentit filipinas duket se nuk i interesojnë aspak komentet apo masat e marra nga përtej kufijve. Në një prononcim të martën, ai i tha Presidentit amerikan Barack Obama të shkonte në djall, pasi SHBA-të refuzuan t’i shisnin disa lloj armësh vendit të tij.

Top Channel